Lidhje

Një epokë e re eksplorimesh e të fshehtave të gjithësisë


Astrofizikani britanik Stephen Hawking është i njohur për eksplorimin e të fshehtave të gjithësisë që nga zonat e pashkelura të hapësirës e deri tek natyra e vrimave të zeza. Ditët e fundit, Hawking ishte në Uashington, me rastin e 50 vjetorit të Nasës dhe bëri thirrje për rifillimin e programit të anijeve të hapësirës me njerëz që do të mund t’i çonte ata në skajet më të largëta të sistemit tonë diellor. Hawking flet për fluturimet me njerëz me po atë pasion shkencor që e bëri atë të famshëm.

Stephen Hawking është i bllokuar në trupin e tij të paralizuar. Por rreth një vit më parë, shkencëtari 66 vjeçar e la karrigen e tij me rrota për të bërë një udhëtim ajror të paharruar. Kur avioni u ngjit 9 mijë e 100 metra dhe përshkoi harqe parabolike në qiell, Hawking arriti të provojë gjendjen e mungesës së peshës. Shkencëtari i famshëm e përshkroi entusiazmin e tij për hapësirën para studentëve të Universitetit George Washington në 50 vjetorin e agjencisë amerikane të hapësirës, Nasa.

Duke folur përmes një sintetizuesi zëri, Hawking bëri thirrje për një epokë të re të zbulimeve në hapësirë që e krahasoi me zbulimin e Botës së Re nga evropianët në vitin 1492

Përhapja e njeriut në hapësirë do të ketë një ndikim edhe më të madh. Ajo do të ndryshojë tërësisht të ardhmen e racës njerëzore dhe ndoshta do të përcaktojë në se kemi një të ardhme. Hawking propozoi krijimin e një baze në Hënë brenda 30 vjetësh, arritjen në Mars brenda 50 vjetësh dhe udhëtimin për në satelitët e planeteve të largët brenda 200 vjetësh. Ai tha se zbulimi do t’i jepte programit të hapësirës dhe shkencës një qëllim të ri në një kohë kur mbijetesa njerëzore mund të varet nga zbulime të reja të ajrit, ujit dhe energjisë.

Brenda 30 vjetëve dritë nga Toka ka rreth një mijë yje. Në se një përqind e secilit do të kishte planete të madhësisë së Tokës, atëhere do të kishim 10 të botë të reja të mundëshme. Hawking thotë se zbulimet ndëryjore duhet të jenë synimi afatgjatë për 500 vjetët e ardhëshme, një periudhë e shkurtër po të krahasohet me historinë dy milion vjeçare të jetës njerëzore në tokë.

Civilizimi filloi rreth 10 mijë vjetë të shkuara dhe ritmi i zhvillimit është rritur vazhdimisht. Në se raca njerëzore dëshiron të jetojë edhe për një milionë vjetë të tjerë, neve do të na duhet të shkojmë me guxim atje ku askush nuk ka qenë më parë. Hawking thotë se kërkimi i botëve të reja mund të mos zgjidhë shumë probleme në tokë por do të hapte një rrugë të re për zgjidhjen e tyre. //IB

XS
SM
MD
LG