Lidhje

Transmetimet ndërkombëtare - mëse të domosdoshme


Kryetari i Bordit të Transmetimeve Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, nga varet edhe Zëri i Amerikës, thotë se kërcënimet ndaj lirisë së shtypit në botë rrisin nevojën për burime lajmesh ndërkombëtare të sakta dhe objektive.

James Glassman, tha dje në Washington, se shumë njerëz shpresuan se përfundimi i Luftës së Ftohtë do të sillte lirinë e mirëfilltë të shtypit nëpër botë, por këto shpresa nuk janë realizuar.

Në të vërtetë, tha ai, kontaktet me burime të pavarura lajmesh dhe informacioni në shumë pjesë të botës janë paksuar nga qeveritë që e shohin kontrollin mbi informacionin të domosdoshëm për të qendruar në pushtet. Ai iu referua një studimi të fundit të organizatës jo qeveritare amerikane, Freedom House.

“Vetëm dy javë më parë, Freedom House bëri të njohur një raport mbi lirinë e shtypit ku e cilësonte vitin e kaluar një vit të rënies globale. Nga 64 vende, 1/3 e atyre të vëzhguara kanë një shtyp jo të lirë. Freedom House arrin në përfundimin se për çdo përparim në shkallën e saj të ‘lirisë së shtypit’, ka dy rënie”.

Në një shoqëri të tillë, me kaq sfida për informacionin e lirë, tha zoti Glassman, transmetimet ndërkombëtare mbeten ende të domosdoshme. Ai tha se në shumë vende të kontinenteve amerikane, në Afrikë e deri në Azi, Zëri i Amerikës, BBC-ja dhe agjenci të tjera transmetimesh përbëjnë të vetmin burim objektiv dhe të besueshëm lajmesh.

James Glassman tha se transmetimet ndërkombëtare amerikane vazhdojnë në valë të shkurtra në shumë rajone, duke shfrytëzuar edhe valët e mesme dhe ato FM të transmetimit, si dhe televizionin dhe Internetin. Aktualisht, tha ai, transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara ndiqen nga më shumë se 175 milion njerëz në javë. //iç//

XS
SM
MD
LG