Lidhje

Fillimi i misionit të BE-së në Kosovë mund të shtyhet për të paktën një muaj


Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se fillimi i misionit të BE-së në Kosovë mund të shtyhet për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për kalimin e pushtetit nga Kombet e Bashkuara në mes të qershorit.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë dërguar 200 pjesëtarë të personelit në Kosovë për të përgatitur terrenin për misionin prej 1 mijë e 800 anëtarësh. Por ata thonë se për shkak të vonesave për përgatitjen e operacioneve nuk ka shanse që personeli i BE-së të marrë përsipër përgjegjësitë në datën e caktuar dhe fillimi i misionit mund të shtyhet të paktën për një muaj.

Ata përmendën faktin se Rusia e kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po e përdor pozitën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta bllokuar transferimin e përgjegjësive tek misioni i BE-së.

Nuk është e qartë nëse autoritetet e Bashkimit Evropian do të jenë në gjendje të marrin nën kontroll zyrat dhe automjetet që tani përdoren nga administratorët e Kombeve të Bashkuara apo do t'u duhet të blejnë ose marrin me qira.

XS
SM
MD
LG