Lidhje

Kryesuesja e USAID konfirmon përkushtimin e SHBA për Kosovën


Drejtoresha amerikane për ndihmë botës së jashtme dhe administratore e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtarë, Henrietta Fore, rikonfirmoi sot se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj ardhmërisë së Kosovës.

Zonja Fore e cila po qëndron për një vizitë në Kosovë mori pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Agjencisë amerikanë për zhvillim ndërkombëtar dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe asaj ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Arsimit lidhur me bursat e programit “Fulbright” për studentët e Kosovës, që është marrëveshja e parë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës pas shpalljes së pavarësisë sot e tre muaj më parë.

Sistemi i drejtësisë në vend sot përfitoi një shumë prej 8 milion dollarësh, ndërsa janë hapur mundësi që një numër studentësh të vazhdojnë shkollimin e tyre në shtetet e bashkuara nëpërmjet programit Fulbright i themeluar në vitin 1946 e i cili synon të nxisë mirëkuptimin ndërmjet popullit amerikan dhe popujve të tjerë të botës.

Zonja Fore tha se të dyja marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë përkushtimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Kosovës. “Të dyja këto janë dëshmi të rëndësishme se ne do të intensifikojmë përfshirjen në këto dy fusha me rëndësi thelbësore, sundimin e ligjit dhe arsimimin ku duhet të ketë përmirësime”, tha zonja Fore, duke nënvizuar se këto dy fusha janë me rëndësi për qëndrueshmërinë, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë pjesë aktive së ardhmes së Kosovës dhe ky përkushtim ka të bëjë me të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës”, tha zonja Fore e cila do të drejtojë delegacionin amerikan në konferencën e donatorëve në Bruksel.

Ajo shprehu bindjen se Kosova do të marrë një ndihmë thelbësore nga donatorët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Zonja Fore theksoi se gjatë nëntë viteve të shkuara, 1.2 miliardë dollarë të ndihmës amerikane i janë përkushtuar rindërtimit të Kosovës, ndërtimit të institucioneve e ekonomisë së qëndrueshme dhe për të ndihmuar funksionimin e shtetit të ri i cili sot mbushi tre muaj.

Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës të kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe Moska zyrtare.//IB

XS
SM
MD
LG