Lidhje

Sa mbështetje gëzon demokracia në botë


Një organizatë ndërkombëtare studimore në Shtetet e Bashkuara njofton se në secilin nga 19 vendet ku është zhvilluar anketë me publikun, njerëzit i mbështesin parimet e demokracisë. Organizata World Public Opinion. Org e zhvilloi anketën në disa nga vendet më të populluara të botës në 5 kontinente të globit. Rezultatet tregojnë gjithashtu se njerëzit thuajse në të gjitha vendet thonë se qeveritë e tyre duhet të tregohen më të përgjegjshme ndaj vullnetit të popullit.

Revolucioni Portokalli i Ukrainës në fund të vitit 2004 ishte një lëvizje masive që arriti të rrëzonte qeverinë dhe të anulonte rezultatet e zgjedhjeve të debatueshme. Tani shumica e njerëzve të anketuar në Ukrainë dhe 18 vende të tjera pohojnë se vullneti i popullatës duhet të jetë baza e autoritetit të qeverisë. Një mbështetje e tillë nuk vërehet në demokracitë perëndimore. Përqindja më e madhe e atyre që e mbështesin parimin janë në Ukrainë, Nigeri, Turqi dhe Indonezi.

Steven Kull është drejtor i organizatës WorldPublicOpinion.org, që zhvilloi anketën. "Në çdo vend vërejmë një shumicë të qartë në mbështetje të procesit elektoral si mjet për zgjedhjen e një udhëheqësi. Rreth 84 për qind e të anketuarve i mbështesin zgjedhjet."

Nga ana tjetër, njerëz në 17 nga 19 vendet e anketuara thonë se qeveritë nuk janë të përgjegjshme sa duhet ndaj popullit. Personat e anketuar në Egjipt dhe Nigeri ishin më të pakënaqurit në këtë aspekt. Megjithatë, 84 për qind e egjiptianëve thonë se qeveria gëzon besimin e tyre, një përqindje më e lartë se çdo popullatë tjetër e anketuar. Kina, Rusia dhe Autoriteti Palestinez renditen lart për sa i përket besimit që gëzon qeveria. Njerëzit në demokracitë perëndimore kanë besimin më të ulët tek qeveria.

Tomas Karodhers Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare ka shkruar 8 libra për ndërtimin e demokracisë. Ai përpiqet të gjejë përse njerëzit në vende autoritare tregojnë besim më të madh tek qeveria: "Mos është kjo shkak i mungesës së lirisë për të shprehur mendimin e tyre, apo ndoshta karakteri autoritar i qeverive shihet si një cilësi atërore që njerëzit e pëlqejnë? A është gjë e mirë që njerëzit të kenë besim tek qeveria, apo është më mirë që të jenë skeptikë ndaj saj?"

Shumica e të anketuarve në 15 nga 18 vendet thonë se mendojnë se shtetet e tyre “drejtohen nga grupe interesash që shohin vetëm përfitimet e tyre.” Vetëm në Kinë dhe Egjipt pjesa më e madhe e njerëzve thonë se qeveritë orientohen nga parimi i të mirës për popullatën. Shumica e të anketuarve në të gjitha vendet thanë se udhëheqësit e tyre duhet t’i kushtojnë vëmendje anketave të opinionit. //ad//

XS
SM
MD
LG