Lidhje

Thatësira, uria sfida të mëdha të ndryshimeve klimatike globale


Një nga sfidat më të mëdha që vjen nga ndryshimet klimatike globale është thatësira që çon pastaj në uri. Në fakt, tendencat e një pakësimi dramatik të rreshjeve, veçanërisht në Afrikë dhe Azi, mund të kenë filluar.

Sipas Qendrës Kombëtare amerikane për Studimet Atmosferike sasia e tokës që ndikohet nga thatësira e madhe është dyfishuar vetëm gjatë 30 vjetëve të fundit. Kjo, si dhe pakësimi i ujit në mbarë botën i ka bërë shkencëtarët të punojnë intensivisht për të parandaluar më të keqen.

Gjatë shekujve, bimët kanë zhvilluar strategji për t’ju përshtatur thatësirës së gjatë. Për shembull, disa i humbasin gjethet e tyre të poshtme që kanë nevojë për më shumë lagështi. Kjo lejon që uji të shkojë tek sythet e bimës që janë më të vogla duke siguruar kështu mbijetesën e saj dhe prodhimin e të paktën disa farave.

Por ky lloj evolucioni është tepër i ngadalshëm për fermerët të cilët kanë nevojë të prodhojnë drithra. Eduardo Blumwald, biolog në Universitetin e Kalifornisë po ndihmon në shpejtimin e këtij procesi.

"Kultura jonë nxitet nga fitimi kështu që në se ke bimë që kërkojnë shumë kohë të çelin, shumë kohë për të dhënë fara, ne nuk i rrisim ato. Ne kemi dy objektiva. Njëra është të prodhojmë dhe të krijojmë bimë që janë në gjendje ti qëndrojnë kushteve të pafavorshme si thatësira. Por objektivi i dytë është të kemi bimë që të mund të rriten me më pak ujë. Ne po i bëjmë të dyja".

Zoti Blumwald dhe ekipi i tij shkencor kanë krijuar së fundmi bimë të duhanit, gjenetikisht të modifikuara që i përmbushin të dyja këto objektiva. Në eksperimentet e tyre ata morën dy grupe bimësh duhani. Njëri grup nuk u modifikua gjenetikisht. Në grupin tjetër ata futën një gjen që rriti prodhimin e citokinës.

Ky është një hormon që nxit ndarjen e qelizave. Gjethet që thahen ose fishken e humbasin citokinën e tyre. Shkencëtarët më pas simuluan kushte të thatësirës duke ua bllokuar ujin të dyja grupeve për 14 ditë. Bimët e modifikuara gjenetikisht i mbajtën gjethet e tyre dhe u gjallëruan shpejt pas ujitjes.

Shumica e bimëve të tjera nuk mbijetuan. Eksperimentet dhanë një tjetër rezultat të rëndësishëm: bimët e modifikuara ishin në gjendje të prodhonin me shumë më pak ujë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për fermerët të cilëve u duhet të përdorin ujitjen në mungesë të shiut për drithërat e tyre.

"Për shembull në eksperimentet tona, kur ne përdorëm vetëm 30 përqind të sasisë normale të ujit, bimët humbën vetëm 14 përqind të rendimentit të zakonshëm. Kjo është një arritje e madhe".

Zoti Blumwald dhe ekipi i tij kanë filluar të përdorin teknika të ngjashme gjenetike tek domatet, orizi, gruri dhe drithra të tjerë. Dhe megjithëse ekspertët ende nuk kanë përcaktuar se këto drithra të modifikuar nuk do të krijojnë ndonjë rrezik për bimët, kafshët apo njerëzit, zotit Blumwald dhe kolegëve të tij u është dhënë leje t’i praktikojnë eksperimentet e tyre nga serat në fusha. Ky është një hap më shumë në përpjekjet e gjithanshme globale për t’ju përgjigjur sfidave të ngrohjes globale. //iç//

XS
SM
MD
LG