Lidhje

Ban Ki Mun do të shkojë në Birmani


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, shkon këtë javë në Birmani, ku po shtohet trysnia ndaj qeverisë për të pranuar një operacion ndihmash në shkallë të gjerë për të mbijetuarit e ciklonit.

Një zëdhënëse e Kombeve të Bashkuara tha sot se zoti Ban pritet të shkojë në Birmani të mërkurën ose të enjten. Zyrtarët e OKB-së thanë se udhëheqësi i Birmanisë, Than Shwe, nuk ka pranuar të bisedojë me shefin e OKB-së në telefon që kur cikloni Nargis goditi këtë vend para më shumë se një jave.

Zyrtari i lartë i OKB-së për ndihmat John Holmes mbërriti në Birmani për t’i kërkuar qeverisë ushtarake të hapi dyert për ndihmat ndërkombëtare dhe të lehtësojë kufizimet për personelin e huaj. Qeveria birmaneze ka pranuar disa donacione ndërkombëtare për të prekurit nga cikloni Nargis, por zyrtarët e ndihmave thonë se kjo është një shumë e vogël, krahasuar me ndihmat e nevojshme për të ndalur urinë dhe sëmundjet.

OKB-ja tha se vetëm një e katërta e të mbijetuarve kanë marrë ndihmat bazë. Grupi Save the Children paralajmëroi sot se mijëra fëmijë në Birmani do të vdesin nga uria brenda pak javësh në se nuk hyjnë ndihmat ushqimore.//IB

XS
SM
MD
LG