Lidhje

Marrëdhënie tejet të tensionuara mes Rusisë dhe Gjeorgjisë


Tensionet ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë rreth rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore vazhdojnë të jenë të larta. Kolegu Andre de Nesnera i hedh një vështrim zhvillimeve mes dy vendeve në muajt e fundit.

Abkazia gjendet në pjesën veriperendimore të Gjeorgjisë ndërsa Osetia Jugore në veri të tij, që të dyja në kufi me Rusinë. Robert Legvold i Universitetit Kolumbia thotë se megjithëse të dy rajonet janë pjesë e Gjeorgjisë, ato kan prirje të forta separatiste.

"Të dyja janë rajone të cilat pas dhunës civile që pushtoi këto rajone në fillim të viteve 90, kanë refuzuar të integrohen në shtetin e Gjeorgjisë. Abkazia kërkon pavarësi të plotë nga Gjeorgjia ndërsa Osetia Jugore fillimisht kërkonte t’i bashkohej Osetisë Veriore dhe të bëhej pjesë e Rusisë por kohët e fundit ka filluar të kërkojë pavarësi të plotë”.

Shumë ekspertë, ndër ta edhe Ronald Suny i Universitetit të Çikagos, thonë se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga shumë shtete ka rritur ndjenjat separatiste edhe në këto dy rajone.

"Shumë rajone të cilat janë përpjekur të shpallin pavarsinë apo autonominë e tyre tani thonë: Ja shembulli i Kosovës; ne duhet të kemi të njëjtën të drejtë dhe kjo ka inkurajuar banorët e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë që t’i bëjnë më tepër presion Rusisë për të përkrahur kërkesën për autonomi më të gjërë apo pavarësi”.

Rusia vazhdimisht ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe siç thonë ekspertët ka shfrytëzuar si argument frikën se edhe rajone të tjera do të kërkojnë një gjë të tillë. Muajin e kaluar Rusia vendosi të rrisë bashkëpunimin me rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë gjë që ka ngjallur protesta nga ana e zyrtarëve gjeorgjianë.

Një burim tjetër i mosmarrëveshjeve ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë është prania e trupave ruse në Abkazi dhe Osetinë Jugore. Megjithëse qëllimi zyrtar i pranisë së tyre është misioni paqeruajtës, Gjeorgjia thotë se prania e trupave ka rritur ndjenjat separatiste ndërsa zyrtarët rusë e kanë hedhur poshtë akuzën.

Tensionet u ngritën edhe më tepër kur muajin e kaluar një aeroplan pa pilot i Gjeogjisë u rrëzua mbi rajonin e Abkazisë. Zyrtarët gjeorgjianë kanë fajësuar aeroplanët luftarakë rusë për rrëzimin e tij por Moska i ka hedhur poshtë akuzat. Javët e fundit janë rrëzuar edhe avionë të tjerë të tillë.

Jason Lyall i Universitetit Princeton thotë se tensione të tilla kanë detyruar Gjeorgjinë dhe Rusinë të shtojnë numrin e trupave në këtë rajon.

"Gjeorgjia po përpiqet që me anë avionëve pa pilot të mësojë se sa trupa ruse ndodhen në rajonet separatiste. Sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve të arritur në vitin 1994, Rusia ka të drejtë të ketë deri në 3000 trupa paqeruajtëse në të dyja rajonet”.

Zyrtarët gjeorgjianë dhe rusë kanë akuzuar njëri tjetrin se e kanë çuar rajonin në prag të luftës. Profesor Suny i Universitetit të Çikagos thotë se situata është shumë e rrezikshme.

"Është e kuptueshme se Gjeorgjia nuk dëshiron luftë sepse nuk ka dyshim se do të humbiste. Nga ana e saj, Rusia nuk dëshiron trazira në atë rajon sepse shumë afër, në Soçi ata po përgatiten për të organizuar lojrat olimpike dimërore të vitit 2014”.

Shkuarja drejt një konfrontimi nuk është e dëshiruar nga asnjëra palë.

"Rreziku nuk është se Gjeorgjia apo Rusia dëshirojnë luftë por se në terren mund të lindë ndonjë konflikt që askush nuk e dëshiron. Gjendja është e tillë që mund të dalë nga kontrolli shumë lehtë. Megjithëse se asnjëra nga palët nuk dëshiron luftë, në një situatë me një prani të madhe trupash në një rajon kaq të vogël dhe me histori jo të mirë, çdo gjë është e mundur”.

Por si mund të ulen tensionet? Profesor Suny mendon se kjo mund të bëhet përmes një dialogu dypalësh. Shumica e ekspertëve mendojnë se ky problem nuk është i pazgjithshëm por ata thonë se presidenti i ri rus, Dmitri Medvedev duhet ta trajtojë çështjen e marrëdhënieve ruso-gjeogjiane në mënyrë të tillë që situata të mos dalë jashtë kontrollit. //iç//

XS
SM
MD
LG