Lidhje

Teknologjia e celularëve sjell përparim në vendet në zhvillim


Celularët janë ndoshta shembulli më i mirë se si një teknologji e re mund t’i ndihmojë vendet në zhvillim sado të prapambetura të jenë ekonomikisht. Në fakt, telefonia celulare, së bashku me Internetin janë pjesë e një revolucioni në teknologjinë e komunikimit që po ndihmon në rritjen e të ardhurave dhe ndalimin e përhapjes së sëmundjeve në ekonomitë me rritje të shpejtë.

Abdul Wakil është pronar i një dyqani në fshatin afgan të Daw Koos, rreth 40 kilometra në veri të Kabulit. Ai thotë se celularët kanë sjellë ndryshime. "Na duhet të shkonim deri në qytet për të porositur produkte. Tani çdo gjë bëhet përmes celularit dhe kostoja është shumë më e ulët. Ata më marrin në telefon dhe unë porosis çfarë më duhet".

Gati tre e katërta e popullsisë afgane mbulohet nga sinjalet e telefonave celularë. Më pak se një person në 100 ka një linjë telefoni fiks. Përhapja e shpejtë e telefonave celularë në vendet në zhvillim si Afganistani është rezultat i disa faktorëve, sipas ekspertit të Bankës Botërore Andrew Burns. "Ka një kombinim mes ekspozimit të këtyre vendeve ndaj teknologjisë dhe gjetjes së mjedisit të përshtatshëm për ta zhvilluar atë. Kjo do të thotë që të ketë një mjedis me rregulla, do të thotë që të kesh një popullatë e cila është në gjendje ta shfrytëzojë atë".

Përdorimi i celularëve në mbarë botën është rritur ndërkohë që më shumë vende kanë hapur sistemin e telefonisë nën pronësinë e shtetit dhe kanë lejuar kompani private për të ndërtuar rrjete celulare. Deri në fund të vitit 2006, 68 përqind e abonentëve të celularëve në botë ishin në vendet në zhvillim.

Lehtësia në përdorim ka qënë faktori kryesor, thotë Andrew Burns."Nuk duhet të jesh i shkolluar, të dish matematikë apo ndonjë gjë tjetër komplekse. Thjesht duhet të jesh në gjendje ti biesh numrit dhe mundësitë janë të mëdha".

Mundësitë e mëdha financiare janë parë në kryerjen e veprimeve bankare me celular në vendet në zhvillim. Në Kenya, shërbimi i lirë i celularëve i quajtur M-Pesa i lejon njerëzit të marrin dhe japin para përmes mesazheve në celularë. Ky shërbim është shumë popullor. Ai eliminon nevojën që njerëzit të udhëtojnë në distanca të largëta për të dhënë apo marrë para. Klienti Daniel Rohio."Në se dua ti dërgoj para nënës apo gjyshes, ajo nuk mund ti marrë ato para menjëherë dhe do ti duhet ndoshta të presë të paktën një ose dy ditë. Kështu që kam gjetur shërbimin e M-Pesas që është mënyrë e lehtë për të dërguar dhe marrë para menjëherë".

Falë celularëve, përparimet në ndaljen e përhapjes së sëmundjeve si Sida janë tani të mundura. Në Ruanda, punonjësit e shëndetësisë në klinikat rurale përdorin celularët të pajisur me programe të veçanta për të futur të dhëna dhe informacione rreth furnizimeve me ilaçe për pacientët me Sida. Ata e kalojnë këtë informacion tek zyrtarët e shëndetësisë në Kigali të cilët mund të ndihmojnë në trajtimin e sëmundjes.

Sistemi i ka ndihmuar pacientët, thotë infermierja Jean Luc Hassan Kavumu. "Shkoja nga këtu në Kigali për të marrë informacione dhe kur kisha ikur nuk kishte kush të kujdesej për pacientët. Me këtë sistem dhe celularët tani mund të jem këtu tërë kohën".

Megjithatë në disa vende celularët duan ende kohë për të sjellë ndryshime. Kështu që edhe pse ato kanë lejuar vendet në zhvillim të anashkalojnë teknologjinë e telefonisë fikse, ekspertët thonë se vetë telefonat celularë nuk mund të sjellin zhvillim ekonomik. Burime të qëndrueshme të energjisë, përmirësimi i rrjeteve rrugore dhe infrastrukturës duhet të zhvillohen për të sjellë një rritje të qëndrueshme ekonomike. //RD//

XS
SM
MD
LG