Lidhje

Klinton, Obama drejt zgjedhjeve ne Oregon dhe Kentaki


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, po zhvillon sot fushatë në shtetin e Montanës, ndërsa rivalja e tij, Hillary Clinton, ndodhet në Kentucky.

Fushtatat zhvillohen në prag të zgjedhjeve paraprake që do të mbahen nesër në shtetet Kentaki dhe Oregon. Bazuar në anketime, zonja Clinton udhëheq garën në Kentaki dhe ka siguruar mbështetjen e 4 ish-guvernatorëve të këtij shteti.

Dje senatori Obama zhvilloi fushatë në Oregon, ku ai pritet t’i fitojë zgjedhjet paraprake. Rreth 75 mijë vetë morën pjesë në një tubim në Portland, ku zoti Obama e kritikoi administratën e Presidentit Bush për politikat ekonomike dhe të energjisë si dhe për luftën në Irak.

Zoti Obama, senator demokrat nga Illinois, kryeson ndaj zonjës Klinton, senatore nga Nju Jorku dhe ish-zonjë e parë e Shteteve të Bashkuara, në numrin e delegatëve që nevojiten për të siguruar emërimin e partisë.

Në kampin republikan, senatori John McCain, i cili e ka të siguruar emërimin e partisë së tij, mbajti sot një fjalim në Çikago, ku tha se pasi të merrte postin e Presidentit, do të punonte për të hequr tarifat mbi produktet bujqësore dhe subvencionet për biznesin bujqësor në rastet kur nuk ka një nevojë të qartë. //rd//

XS
SM
MD
LG