Lidhje

A do ta zgjedhë Senatori Obama zonjën Klinton si kandidate për nënpresidente?


Sondazhet e opinionit publik tregojnë se një numër gjithnjë më i madh demokratësh dëshirojnë që senatori Obama ta zgjedh senatoren Klinton për postin e nën presidentes në zgjedhjet presidenciale, nëse ai fiton emërimin e partisë së tij.

A do ta zgjedh senatori Obama zonjën Klinton si kandiadate për nënpresidente? Analistët politikë thonë se edhe pse duket shumë e pamundshme, një gjë e tillë mund të ndodhë. Ja se ç’thotë Norman Ornstein nga Instituti Enterprajs.

"Kjo është gjithmonë e mundur sepse mënyra se si është duke shkuar kjo garë ndonjëherë të detyron të bësh gjëra të cilat nuk dërshiron ti bësh. Senatorja Klinton duke pasur parasysh realitetin e krijuar tani ndoshta do ta donte një gjë të tillë".

Ata që e përkrahin një kandidaturë të tillë të përbashkët thonë se për Partinë Demokrate kjo do të ishte mënyra më e mirë për shërimin e plagëve dhe bashkimin e partisë pas një gare kaq të gjatë dhe të ashpër ndërmjet kandidatëve të kësaj partie. Senatorja Klinton mund t’i ndihmonte edhe senatorit Obama të fitojë disa grupe kyçe votuesish në zgjedhjet e përgjithshme me të cilat ai ka pasur probleme gjatë zgjedhjeve paraprake.

Analisti politik Majkël Baron thotë se fushata presidenciale ka zbuluar disa dallime të mëdha në Partinë Demokrate.

“Kemi si të thuash një luftë civile apo fisnore të cilën ne e pamë edhe gjatë zgjedhjeve në shtetin e Pensilvanisë. Të rinjtë kundër të moshuarve, të pasurit kundër të varfërve. Votuesit me preardhje latine dhe hebrejë në një anë dhe votuesit afrikano-amerikanë në anën tjetër".

Senatori Obama ka pasur sukses mes votuesve të rinj, votuesve me arsim të lartë dhe mes afrikano-amerikanëve. Por ai mund të përfitojë nga përkrahja që gëzon senatorja Klinton mes femrave, votuesve të moshuar dhe sidomos mes votuesve të klasës punëtore të racës së bardhë.

Por analistët politikë thonë se nuk është e sigurtë nëse senatorja Klinton mund të sigurojë votat e këtyre grupeve të votuesve në zgjedhjet e përgjithshme. Morton Konracke është kryeredaktor i gazetës Roll Call, një gazetë e cila mbulon zhvillimet në Kongresin amerikan.

“Është një grup i votuesve që zoti Obama duhet t’i tërheqë në anën e tij dhe ai grup është i ashtuquajturi Demokratët e Reganit, të cilët mund të kenë menduar të votojnë për Partinë Demokrate por thonë se nuk do të votonin për senatorin Obama".

Por numri i atyre që e kundërshtojnë një kandidaturë të përbashkët, me senatorin Obama si president dhe senatoren Klinton si nën-presidente, është po aq i madh sa edhe i atyre që e përkrahin atë. Analisti Norman Ornstein thotë se senatori Obama ka prezantuar veten si një agjent për ndryshime dhe si një udhëheqës i cili do të priste lidhjet me të kaluarën, përfshirë ketu edhe kohën kur president ishte Bill Klinton.

Kjo është arsyeja pse ai mendon se zoti Obama nuk do të pranojë të ketë zonjën Klinton si kandidate për nën-presidente. Një arsye tjetër është edhe se senatorja Klinton ka një ndikim polarizues ndër shumë votues. Sondazhet e opinionit publik për një kohë të gjatë tregojnë se numri i atyre që nuk e pëlqejnë atë është po aq i madh sa edhe numri i atyre që e përkrahin.

Zgjedhja e senatores Klinton do të ngrinte pikpyetje të ndërlikuara rreth rolit të saj si nën-presidente si dhe rreth rolit që do të kishte ish presidenti Klinton në një administratë të udhëhequr nga senatori Obama.

William Beaman është kryeredaktor i gazetës Politics.

“Do të ishte diçka shumë e vështirë të kesh si nën-president një personalitet të fortë siç është senatorja Klinton, por të kesh edhe ish presidentin Bill Klinton, i cili, megjithëse do të qëndronte mënjanë, prap se prap do të jepte këshilla, gati si të ishte një nën-president i dytë”.

Shumica e analistëve mendojnë se kandidatët për nën-president historikisht nuk kanë ndonjë efekt në rezultatin e zgjedhjeve. Por ka pasur raste kur dy ish kundërshtarë bashkojnë forcat dhe kandidojnë sukesshëm së bashku. Një rast i tillë ishte në vitin 1980 kur ish kundërshtarët Ronald Reagan dhe Xhorxh Bush kandiduan dhe fituan së bashku. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 1960 një bashkim i tillë ishte kyç në fitimin e Shtëpisë së Bardhë nga demokratët kur Xhon Kenedi dhe Lindon Xhonson, të cilët kishin qenë kundërshtarë në zgjedhjet paraprake, kandiduan së bashku dhe shënuan një fitore shumë të ngushtë kundër Richard Niksonit.

Nëse senatori Obama fiton emërimin e Partisë Demokrate, ai pritet të zgjedh një kandidat për nën-president pak para kuvendit të partisë, i cili mbahet në muajin gusht. //ib//

XS
SM
MD
LG