Lidhje

Operacioni Lasik që premton shikim të qartë. Këmbë e re artificiale, e afërt me këmbën e vërtetë


Operacioni Lasik që premton shikim të qartë

Agjencia federale që kujdeset për cilësinë e ushqimeve dhe ilaçeve po shqyrton edhe një here një procedure mjaft të përhapur mjekësore siç është operacioni Lasik në sy që i bën njerëzit të shohin pa ndihmën e syzeve apo lenteve të kontaktit. Miliona vetë i janë nënshtruar kësaj procedure, megjithatë disa pacientë thonë se vazhdojnë të kenë probleme edhe pas operacionit.

“Shikim të përsosur sa hap e mbyll sytë”, ky është premtimi që është përmbushur për rreth 95 përqind të pacientëve. Por çfarë ndodh me 5 përqindshin tjetër, që pas procedures shikon turbullt, nuk mund të shikojë natën, apo sheh hije e xixa e yje.

Barbara Berney thotë se tani pas operimit nuk sheh as për t’i dhënë makinës dhe e ka tepër të vështirë të shikojë rrugën që ecën.

Dhe Barbara nuk është vetëm. Aby Ellin thotë se operacioni Lasik e ka lënë atë me tharrje kronike të syve. Ajo ndjen dhimbje dhe i duket sikur sytë i janë mbuluar me një perde që nuk e lë të shohë qartë.

Tani, 10 vjet pas miratimit të kësaj procedure, Agjencia amerikane për ushqime dhe ilaçe po përgatit kryerjen e një studimi në shkallë kombëtare për të pare gjendjen e pacientëve që janë trajtuar me këtë operacion.

Doktor Roy Rubenfeld, i cili ka kryer mijëra operacione Lasik, këmbëngul se komplikacionet nga kjo procedure janë të rralla, madje suksesin e saj ai e quan një rast të pashembull në mjekësi. Doktor Rubefeld thotë se çdonjeri që mendon t’i nënshtrohet një operacioni të tillë duhet të marrë parasysh edhe rreziqet. Lasik, një akronim për Laser-Assisted In Situ Keratomileusis, që don të thotë ndërhyrje në sy me ndihmbën e rrezeve Lazer, kryehet për të ndryshuar formën e kornesë për të eleminuar apo pakësuar nevojën e përdorimit të syzeve. Procedura nuk zgjat më shumë se 20 minuta për të dy sytë dhe pacienti nuk ndjen ndonjë dhimbje.

Agjenica e ushqimeve dhe ilaçeve tani po grumbullon dëshmitë e mjekëve dhe pacientëve për të vendosur nëse vendimi për lejimin e një procedure të tillë duhet ndryshuar ose jo.

Këmbë e re artificiale, e afërt me këmbën e vërtetë

Një këmbë e re artificiale, tashmë ka dalë në treg dhe fillimisht po u ofrohet ushtarëve amerikanë që kanë humbur këmbët në luftë në Irak e Afganistan, si dhe njerëzve që vuajnë nga diabeti dhe si pasojë kanë humbur këtë gjymtyrë. Kjo protezë quhet Proprio Foot apo Këmbë e vërtetë. Ajo kushton rreth 12 mijë dollarë dhe për nga veprimet i afrohet shumë këmbës së vërtetë.

Projekti për krijimin e një këmbe të tillë artificiale u financua nga qeveria amerikane për t’u ardhur në ndihmë ushtarëve të saj të plagosur në Irak e Afganistan.

Në sajë të përparimeve teknologjike, kjo këmbë protezë lëviz thuajse njësoj si këmba që ajo zevendëson, duke reaguar ndaj sinjaleve që dërgojnë muskujt e pacientit. Disa prej këtyre gjymtyrëve janë pajisur edhe me ndjesorë dhe mikropërçues duke i bërë ato t’i kryejnë veprimet vetë, natyrshëm, pa sforcim të pacientit.

Një shembull është Proprio Foot, që Bradly Peterson përdor. Kjo këmbë është prodhuar nga një firmë protezash në Islandë, me fonde të qeverisë amerikane. Peterson thotë se veçanërisht kur ngjit shkallët ai nuk sforcohet fare. Këmba artificiale i kryen vetë të gjitha veprimet.

Këmba artificiale vihet në veprim me bateri dhe është pajisur me një program kompjuterik që përdor ndjesorë për të dërguar informacionin tek një mikroprocesor, i cili sinjalizon një aktivizues për t’iu përshatur lëvizjes së pacientit. Peterson mund të mbathë lehtësisht këpucë atletike apo këpucë të çdo lloji e për çdo rast.

Firma prodhuese thotë se kjo është këmba e parë protezë inteligjente. Tani për tani, kjo këmbë kushton 12 mijë dollarë, çmim që zakonisht pritet të bjerë, ashtu siç ndodh në treg pak pas daljes së prodhimeve të reja.

XS
SM
MD
LG