Lidhje

Sen. Obama pranë emërimit si kandidat presidencial i demokratëve


Kandidatët demokratë për president Barak Obama dhe Hillari Klinton siguruan secili nga një fitore të martën, por në fund të fundit rezultati i përgjithshëm tregon se zoti Obama është një hap më pranë emërimit të partisë së tij si kandidat për president.

Sipas përllogaritjeve, Barak Obamës i mbetet të marrë vetëm pothuajse 100 delegatë për të arritur numrin e nevojshëm prej 2025 që i duhet për të marrë emërimin e partisë demokrate.

Zoti Obama ka tani shumicën e delegatëve pas fitores në zgjedhjet paraprake të Oregonit. Delegatët caktohen në bazë të garave paraprake brenda partisë.

Senatori Obama ishte të martën në Iowa, ku në janar arriti fitoren e tij të parë. Ai shprehu optimizmin për bashkimin e Partisë Demokrate, në fund të garës me rivalen Hillari Klinton.

“Disa mund t’i konsiderojnë milionat e votave që hidhen për secilin prej nesh si provë se partia jonë është e ndarë. Por unë e shoh këtë si provë se ne kemi qenë më entuziastë dhe të bashkuar në dëshirën që ta çojmë vendin në një drejtim të ri”.

Senatorja Klinton siguroi një fitore bindëse në Kentaki, Ajo do ta vazhdojë garën deri në fund të sezonit të zgjedhjeve paraprake më 3 qershor dhe po këmbëngul se do të ishte kandidate më e fortë përballë kandidatit republikan, Senatorit Xhon Mekein.

“Partisë sonë do t’i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë. Cili nga kandidatët do të jetë gati ta çojë partinë drejt fitores? Cili do të fitonte ndaj zotit Mekein në shtetet e pavendosura dhe mes votuesve të pavendosur?”

Zonja Klinton fitoi lehtësisht ndaj zotit Obama duke siguruar votën e të bardhëve të klasës së mesme, ashtu si edhe në gara të tjera kohët e fundit. Zoti Obama përmirësoi pozitën e tij mes votuesve të klasës së mesme në Oregon.

Ekspertët vlerësojnë se është e pamundur që zonja Clinton të arrijë t’ia kalojë zotit Obama nga numri i delegatëve deri më 3 qershor. E vetmja mundësi do të ishte që bindej shumica e rreth 200 superdelegatëve që nuk e kanë shprehur mbështetjen e tyre, se ajo do të ishte një kandidate më e fortë sesa zoti Obama, megjithëse ai ka epërsi në numrin e delegatëve, votën popullore dhe numrin e shteteve që ka fituar.

Vetëm tre gara mbetën në zgjedhjet paraprake të demokratëve. Shumë demokratë me peshë parashikojnë që partia e tyre të mbështesë zotin Obama si kandidat në qershor, para kuvendit kombëtar që do të mbahet në Denver në fund të gushtit.

XS
SM
MD
LG