Lidhje

Aktorja Arta Dobroshi në Kanë me filmin “Heshtja e Lornës”


Fituesit e dyfishtë të Festivalit të Kanës, vëllezërit Zhan Luk dhe Pierre Dardene po konkurrojnë edhe një herë për çmimin më të lartë të kinematografisë botërore. Këtë herë ata paraqiten me filmin “ Heshtja e Lornës”, ku në rolin kryesor paraqitet aktorja kosovare Arta DobroshiFilmi i regjisorëve të njohur Zhan Luk dhe Pierre Dardene, Heshtja e Lornës u shfaq në festivalin e Kanës të hënën. Aktorja kosovare Arta Dobroshi në këtë film luan rolin e Lornës, një vajzë shqiptare e cila është martuar me një përdorues droge në mënyrë që të fitojë leje qëndrimi në Belgjikë, por në të njejtën kohë premton të martohet me një bos të mafias ruse për të fituar para që të mundet të fillojë biznesin e vet.

Por këtu fillon edhe i tërë komplikimi i ngjarjes. Kur divorci vështirësohet, ata që dëshirojnë që ajo të martohet me bosin e mafias ruse i kërkojnë që ta vrasë të shoqin me mbidozë droge. Pyetja është se a do ta pengonte Lornën ndërgjegja e saj ta bëjë një gjë të tillë.

E veshur vazhdimisht me pantallona të kuqe dhe me flokë të shkurtra karakteri i aktores paraqet shkëlqyeshëm dilemën me të cilën ajo ballafaqohet. Filmi është pritur mjaft mirë nga publiku dhe roli i një aktoreje nga Kosova nuk ka kaluar pa vëmendje. Arta Dobroshi është aktorja e parë shqiptare që merr pjesë në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë. Ajo doli në skenë si një aktore premtuese me filmin “Syri Magjik” të regjisorit Kujtim Çashku.

Filmi “ Heshtja e Lornës” i hap asaj një rrugë të re në botën e filmit.

Në këtë film ajo luan pranë aktorëve Xheremi Renier dhe Fabrizio Ronxhone. “Heshtja e Lornës” konkurron ndër 19 filmat për çmimin “Palma e Artë”.

XS
SM
MD
LG