Lidhje

Diversiteti në rekrutimin e agjentëve të zbulimit amerikan


Agjencitë amerikane të zbulimit kanë filluar një program ambicioz për punësimin e rekrutëve të rinj nga komunitetet pakicë të Amerikës, veçanërisht mes arabëve dhe myslimanëve. Por kjo përpjekje ka ndeshur në skepticizimin e komuniteteve të imigrantëve.

Një takim i kohëve të fundit mes rekrutuesve të agjentëve të zbulimit dhe mbi 12 përfaqësuesve të etnive të ndryshme, nxjerr në pah vështirësitë që kanë rekrutuesit për t’i tërhequr amerikanët me origjinë të huaj.

Në një takim që u zhvillua në një zyrë në periferi të Washingtonit, zyrtarë nga agjenci të ndryshme qeveritare, si CIA, FBI-ja dhe ajo e Sigurisë Kombëtare, donin të bisedonin lidhur me mënyrën e depërtimit tek komunitetet e imigrantëve. Por përfaqësuesit e pakicave thanë se disa nga shqetësimet e vazhdueshsme lidhur me disa aktivitete të SHBA-së e vështirësojnë pranimin e idesë, që anëtarë të komunitetit të tyre të kenë një karrierë në fushën e zbulimit.

Në një intervistë, juristja Amina Khan, e cila përfaqëson Shoqatën e Profesionistëve Pakistanezë, tha se komuniteti i zbulimit duhet ta kapërcejë dyshimin dhe skepticizimin, sidomos tek myslimanët. “Natyrisht, që komunitetet etnike do të shprehin skepticizëm, sidomos për faktin përse agjencitë e zbulimit po vijnë mes tyre. Dua të them, se janë bërë gabime politike në këtë fushë. Ashtu sikurse në Gjirin e Gunatanamos, ( ku mbahen të ndaluar shtetas të huaj të dyshuar për terrorizëm), ka edhe raste të tjera gjykimesh të gabuara. Dua të them se ka çështje me të vërtetë të vështira”.

Dështimi në parandalimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të viti 2001, i nxiti agjencitë amerikane të zbulimit, që të përpiqen për rekrutimin e analistëve të rinj dhe zyrtarëve në terren, të cilët kanë aftësi speciale, sidomos të jenë të rrjedhshëm në gjuhët kryesore të rajonit të Lindje së Mesme, si arabishtja, persishtja, dari, pashtu dhe urdu.

Vendi më i mirë për të gjetur njerëz të tillë, arsyetuan ata, është mes imigrantëve të brezit të parë dhe dytë, të cilët janë bërë qytetarë amerikanë. Por deri kohët e fundit, rregullat i pengonin agjencitë e zbulimit të rekrutonin njerëz, të cilët kanë të afërm jashtë vendit. Ekzistojnë gjithashtu edhe shqetësime për kulturën e disa prej këtyre vendeve, që shpesh bëhet pengesë për rekrutimin.

Muhamed Maxhid, imam i xhamisë në periferinë e Virxhinias, tha se shumë imigrantë vijnë nga vende, ku agjencitë e zbulimit janë sinonim me aktivitetet e policisë sekrete. “Është fjala për imigrantë, të cilët vijnë nga jashtë vendit, ku komuniteti i zbulimit i atjeshëm vepron kundër ligjit. Gjithçka mund të ndodhë në ato vende. Mund të arrestohesh, mund të zhdukesh, dhe askush nuk e di se ku je."

Disa pjesëtarë të komunitetit, po ashtu theksuan se të jesh spiun është një profesion jo i ndershëm, sidomos në kulturën e tyre. Ndërsa rekrutuesit e zbulimit u përpoqën në takim të nxisnin një diskutim për të depërtuar tek këto shtresa, shumë nga përfaqësuesit e minoriteteve ngritën shqetësime lidhur me çështje të tilla, si ndalimin nga CIA të të dyshuarve për terrorizëm, inçizimin pa leje nga gjykata nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe kontrolli i listave të pasagjerëve nëpër aeroporte.

Një rekrutues i CIA-s u ngrit për kërkuar që diskutimi të përqëndrohet përsëri tek çështja e rekrutimit. Por ndihmës Drejtori i Zbulimit Kombëtar Ronald Sanders tha se çështje të tilla janë tema legjitime, kur flitet për rekrutimin e agjentëve të zbulimit.

Në një intervistë, zoti Sanders, i cili është shefi i zyrës së personelit për komunitetin amerikan të zbulimit, tha se vetëm duke trajtuar shqetësime të tilla, agjentët e zbulimit do të kenë shpresë për të rekrutuar agjentët që u nevojiten. “Ata e dinë se ne nuk mundemi të jemi aq të hapur sa mund të duan ata. Ne nuk mund ta mbajmë bisedën të fokusuar vetëm tek rekrutimi dhe ndalimi i tyre. Ne duhet t’i zgjerojmë radhët, duhet të jemi të sinqertë, dhe duhet të flasim për disa nga këto çështje, së pari, si një mënyrë për të ndërtuar besimin e tyre, por së dyti, si një mënyrë për t’i informuar, në mënyrë që ata të mund të informojnë komunitetet e tyre dhe në disa raste, edhe për të vendosur strandartet e nevojshme për këtë çështje”.

Duke folur në takim, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, Majkell Mekonell, tha se ai po kërkon shtimin e trajnimit të nevojshëm për punonjësit e komunitetit të zbulimit. Ai tha po ashtu, se kërkon zbatimin e procedurave të reja për pakësimin e kohës së nevojshme për të siguruar nivelin e besueshmërisë që kërkohet nga punonjësit e rinj të zbulimit, një proces që ka marrë deri në 1 vit e gjysëm apo edhe dy vjet, sidomos për qytetarët e amerikanë të natyralizuar, të cilët e kanë marrë shtetësinë, duke qenë imigrantë, apo bij imigrantësh. //bsa//

XS
SM
MD
LG