Lidhje

Juristi amerikan vlerëson procesin e privatizimit të ARMO-s si transparent


Privatizimi i kompanisë shqiptare të naftës ARMO përfundon brenda dy muajve të ardhshëm, ndërsa procesi teknik po ndiqet me saktësi dhe transparencë. Kështu e komentoi tenderin e hapur dje juristi Xhud Kerni, përfaqësues i kompanisë amerikane “Patton Boggs’, që po këshillon autoritetet shqiptare për procedurat ligjore të shitjes së ARMO-s. Zoti Kerni tha gjithashtu se ka një dallim të madh midis ofertave që dhanë 4 kompanitë pretenduese për blerjen e ARMO-s, ndërsa vlerësimi i ofertës teknike do të zgjasë edhe disa ditë.

Sipas zotit Kerni, ofertat për ARMO-n janë ende duke u shqyrtuar. Ne duhet t’i analizojmë dhe të nxjerrim një raport për Këshillin e Ministrave mbi përmbajtjen e tyre.

Sa i takon ofertave financiare në veçanti jemi të kënaqur me nivelin e ofertave që u dhanë, megjithëse nuk u befasuam prej tyre. Ndërsa ofertat teknike duhet t’i studjojmë edhe për disa ditë deri sa të bëjmë raportin për qeverinë. “Dallimi mes dy kompanive që dhanë ofertat më të mëdha ishte një ndryshim i dukshëm midis çmimeve që ata dhanë. Ne nuk dimë se mbi ç’bazë llogaritjesh ata i kanë nxjerrë ato oferta, ndërsa ndryshimi midis planeve të biznesit për investime nuk është analizuar plotësisht dhe përcaktimi qartë do të dalë pas disa ditësh” – thotë zoti Kerni.

Ai thekson se kompania amerikane e konsulencës “Pattom Boggs” nuk është vendim-marrëse në këtë proces, ndonëse punon ngushtë me ARMO-n dhe ministrinë e ekonomisë e energjitikës, po ashtu me qeverinë për të strukturuar procesin e privatizimit si të tillë. “Ne kemi një rol në vazhdimësi të punojmë me ARMO dhe ministrinë e ekonomisë deri në shitjen përfundimtare të kompanisë, por jemi vetëm këshilltarë për çështjet ligjore” – thotë zoti Kerni.

Sipas tij, procesi ka qenë tërësisht transparent, i përpiktë dhe i ndershëm, ndonëse nuk ka ende një vendim për fituesin. “Ky është një process i lavdërueshëm për rigorozitetin e ndjekur. Vlerësimi do të jetë pas disa ditësh, qeveria do të negociojë më pas për kontratën e shitjes dhe gjithcka mund të mbyllet brenda dy muajve të ardhshëm” – tha zoti Kerni.

Përfaqësuesi i “Patton Boggs” thotë se ARMO ka nevojë të ndryshojë teknologjinë dhe kapitalet, ndonëse vitet e fundit ka qenë me fitim. “Me modernizimin e ARMO-s kjo kompani mund të luajë një rol në tregun rajonal të karburanteve, gjë që mund të jetë shumë e rëndësishme për rajonin, por kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë” – thotë zoti Kerni.

Ministria shqiptare e ekonomisë hapi dje ofertat në tenderin ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë ARMO, ku u paraqitën 4 kompani. Kompania Refinery Associates of Texas ofroi 128 milion dollarë, ndërsa Vitol US Balkan Fund ofroi 100 milion dollarë. //bsa//

XS
SM
MD
LG