Lidhje

Sen. Mekejn refuzon mbështetjen e priftit të kritikuar për deklaratat rreth hebrenjve


Në Shtetet e Bashkuara, i emëruari i pritshëm i partisë republikane për president, Xhon Mekejn, refuzoi mbështetjen e një predikuesi të kritikuar për deklaratat e tij rreth hebrenjve.

Media amerikane njoftoi dje se Xhon Hagi, një udhëheqës i njohur evangjelist, i kishte thënë besimtarëve gjatë një predikimi në vitet 90 se Hitleri kishte përmbushur një profeci biblike duke i nxjerrë hebrenjtë jashtë Evropës për në Izrael. Zoti Mekejn u distancua nga predikuesi, duke i quajtur komentet e tij si tepër fyese.

Zoti Mekejn po i jep sot medias tre orë kohë për të parë historinë e tij mjekësore, në përgjigje të shqetësimeve rreth shëndetit të tij. Senatori nga Arizona bëhet 72 vjeç në gusht dhe do të jetë personi më i vjetër që merr presidencën nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.

Agjencia e lajmeve Associated Press, e cila i ka shqyrtuar të dhënat mjekësore, thotë se zoti Mekejn, i cili ka pasur kancer në lëkurë, tani duket se nuk e ka më këtë sëmundje, ka një zemër të fortë dhe duket përgjithësisht mirë me shëndet.

Në lajme të tjera, senatori demokrat Barak Obama, i cili është në krye të garës për emërimin nga partia e tij, bëri fushatë dje në një sinagogë të Floridas duke i thënë turmës se do të bënte ç’ishte e mundur për të forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nëse fiton presidencën. //bsa//

XS
SM
MD
LG