Lidhje

Presidenti Bush, fushatë për marrëveshjet e tregëtisë së lirë


Presidenti amerikan Xhorxh Bush bëri thirrje përsëri të premten për marrëveshje të tregëtisë së lirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kolumbisë, Panamasë dhe Koresë së Jugut. Demokratët në Kongres e vonuan votimin përfundimtar për këto marrëveshje. Ata cituan shqetësimet rreth dhunës në Kolumbi. Por presidenti Bush këmbënguli se tregëtia e lirë është në të mirë të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, si dhe të botës.

Në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, shihej një traktor, ca prodhime bujqësore dhe mallra të tjera të prodhuara në Amerikë. Presidenti Bush i përdori këto për të treguar se Amerika mund t’i shesë këto prodhime më me lehtësi nëse do të kishte marrëveshje të tregëtisë së lirë.

Shumica e eksporteve kolumbiane si kafeja hyjnë në Shtetet e Bashkuara pa doganë. Megjithatë, bizneset amerikane që i shesi ato paguajnë tarifa të larta. Presidenti Bush tha se traktori i prodhuar në Dakotën Veriore do të kushtonte 15 mijë dollarë më pak në Kolumbi sipas marrëveshjes së tregtisë së lirë. “Kjo do të sillte ndryshim të madh për njeriun që e blen atë traktor, dhe shpresoj se punëtorët e kompanisë që i prodhojnë ato më kuptojnë. Sa më i lirë çmimi për ato që i blejnë traktorët në Kolumbi, aq më shumë punë do të ketë për ju.”

Kryetarja e Dhomës amerikane të Përfaqësuesve Nensi Pelosi u përpoq muajin e kaluar ta shtynte votimin mbi këtë marrëveshje. Shumica e demokratëve dhe pak republikanë e mbështetën atë. Ata thanë se kjo nuk do të ndihmonte shumë në mbrojtjen e punëtorëve kolumbianë të sindikatës nga dhuna.

Ata i bënë thirrje presidentit Bush të trajtonte problemin e ekonomisë amerikane. Ja si u shpreh kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi me 9 prill. “Ne nuk mund ta konsiderojmë këtë marrëveshje pa trajtuar më parë pasigurinë e familjeve punëtore amerikane. Ne kemi rënë dakort për shumë marrëveshje dypartiake për të rigjallëruar ekonominë amerikane dhe shpresojmë se disa nga këto nisma do të pranohen nga Presidenti.”

Por Presidenti Bush nguli këmbë dje se presidenti kolumbian Alvaro Uribe ka marrë masa për të zbutur dhunën duke çmobilizuar mijëra njësi paramilitare dhe duke emëruar një prokuror të pavarur për të ndjekur çështjet që kanë të bëjnë me sulme kundër udhëheqësve sindikalistë.

Presidenti thotë se refuzimi i marrëveshjes do të ishte si t’i refuzosh ndihmën presidentit Uribe, për të cilin ai thotë se po lufton tregtinë e drogës. “Kjo do t’i dërgonte një mesazh të dëmshëm udhëheqësve që kanë kurajo dhe miqve tanë. Në rastin e Kolumbisë, ne do t’i dërgonim një sinjal të dëmshëm Amerikës së Jugut.”

Kolumbia është tregu më i madh eksportues i prodhimeve bujqësore amerikane në Amerikën e Jugut. Tregtia dypalëshe vitin e kaluar arriti në 18 miliard dollarë. Votimi i marrëveshjes tani është shtyrë deri pas zgjedhjeve presidenciale.

XS
SM
MD
LG