Lidhje

SHBA - 47 milionë njerëz pa sigurime shëndetësore


Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i zhvilluar që nuk ofron kujdes shëndetësor për qytetarët e vet. Tani çmimet në rritje si për kujdesin shëndetësor ashtu edhe për sigurimet bëjnë që shumë amerikanë të mos jenë në gjendje të marrin shërbim shëndetësor. 47 milionë njerëz nuk kanë sigurime shëndetësore.

Shumë amerikanë i marrin sigurimet shëndetësore nga punëdhënësi. Por kostoja e sigurimeve po rritet më shpejt sesa rrogat, ndërkohë që edhe kostoja e kujdesit shëndetësor rritet.

Ron Polak punon për një organizatë që merret pikërisht me këto probleme. “Kjo kosto është e papërballueshme si për i ndividët ashtu edhe për agjencitë qeveritare”. Dhe rritja pritet të vazhdojë.

Departamenti amerikan i Shëndetësisë parashikon se shpenzimet e kujdesit shëndetësor do të dyfishohen gjatë 10 vjetëve të ardhshme, çka do të thotë edhe rritje e çmimeve të sigurimeve. Shumë biznese të vogla nuk ofrojnë dot sigurime për punonjësit e tyre. 47 milionë amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore.

“Nëse sistemi i tanishëm nuk ndryshon, çdo vit do të sjellë 1 milion më shumë të pasiguruar”. Arthur Garson është dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Virxhinias. “Pas 10 vjetësh numri i të pasiguruarve do të jetë 57 milionë”. Që do të thotë 20 për qind e popullsisë pa sigurime.

Shumë njerëz që nuk e përballojnë dot kujdesin shëndetësor, janë të punësuar. Të ardhurat e tyre janë më të larta se ç’duhet për t’u kualifikuar për kujdes shëndetësor falas, por jo aq të larta sa të mund të përballojnë sigurimet. Studimet tregojnë se amerikanët që nuk kanë sigurime shëndetësore nuk jetojnë aq gjatë sa ata që i kanë ato.

Xhesika Banthin e Departamentit të Shëndetësisë ishte hartuesja kryesore e një studimi qeveritar për sigurimet shëndetësore. “Studimi ynë tregon se të sëmuresh në këtë vend sjell pasoja për të ardhurat e familjes”.

Analistët thonë se për këtë arsye reformimi i kujdesit shëndetësor është një nga temat kryesore në fushatën presidenciale të këtij viti. Disa përmendin Agjencinë e Kujdesit Shëndetësor për veteranët, si model për cilësinë dhe efikasitetin. Për shembull, spitalet dhe klinikat e veteranëve që mbahen me fondet e qeverisë i ruajnë të dhënat me mënyrë elektronike.

Kështu, pavarësisht nga klinika ku shkon pacienti, të dhënat e tij mund të gjenden me një të klikuar. “Unë mund të shoh se sa e ka pasur tensionin një pacient sa herë që ka qenë në një spital, apo klinikë”, thotë Dr. Ros Fleçer: Kjo parandalon përsëritjen e analizave dhe gabimet në recetat e ilaçeve.

Ja ç’thotë dr. Garson: “Nëse do të ishim në gjendje të shmangnim problemet administrative, përsëritjen e analizave, kërkesat për ilaçe të panevojshme, shërbime të panevojshme, do të kishim shumë më tepër para në dispozicion”. Dr. Garson dhe të tjerë që janë në favor të reformës në sistemin shëndetësor parashikojnë vazhdimin e sigurimeve shëndetësore private dhe zgjerimin e programeve publike. Ai thotë se të paktë janë ata që mbështesin kujdesin shëndetësor universal të siguruar nga qeveria.

Në shtete të veçanta, janë propozuar një numër planesh, por vetëm dy prej tyre kanë miratuar kujdesin shëndetësor universal. Dr. Garson parashikon më shumë propozime nëpër shtete derisa të gjendet se cili model funksionon më mirë. Deri atëherë, thotë ai, jetëgjatësia për një burrë afrikano-amerikan në Nju Jork ose Uashington do të mbetet më e ulët sesa ajo e një banori të Bangladeshit ose Nairobit. //bsa//

XS
SM
MD
LG