Lidhje

SHBA: Presidenti Bush dhe demokratët nderojnë të rënët në luftë


Nesër, amerikanët nderojnë të rënët e tyre. Në fjalën e tij të përjavshme ditën e shtunë, Presidenti Xhorxh Bush tha se amerikanët duhet të kujtojnë sakrificat e trupave të Shteteve të Bashkuara në të kaluarën dhe në ditët e sotme. Demokratët gjithashtu i nderojnë këto sakrifica, por kritikojnë politikat e administratës për luftën në Irak. Gjithashtu kritikë ndaj kësaj lufte janë edhe vetë veteranët.

Në fjalën e tij në radio, Presidenti Bush u kujtoi amerikanëve se qëllimi i Ditës së të Rënëve është për të rikujtuar trimërinë e trupave amerikane të cilët dhanë jetën në krye të detyrës.

“Gjatë gjithë historisë, kjo trimëri ka mbrojtur mënyrën tonë të të jetuarit dhe lirinë tonë të shenjtë. Ishte ky guxim që solli pavarësinë tonë, që i hoqi kombit tonë njollën e skllavërisë dhe që përballoi të gjitha kërcënimet totalitariste të shekullit të kaluar”.

Presidenti gjithashtu nderoi ushtarët amerikanë të cilët janë duke luftuar në Irak, Afganistan dhe vende të tjera.

“Sot, ushtarët tanë janë duke u përballur me një kërcënim të ri totalitar për lirinë tonë. Në Irak, Afganistan dhe fronte të tjera në botë, ata vazhdojnë të ndjekin trashëgimninë e lavdishme të të parëve të tyre. Ata e mbajnë përgjegjësinë e tyre me shumë dinjitet dhe respekt dhe disa kanë bërë sakrificën me të madhe në mbrojtje të vendit të tyre”.

Në përgjigjen e partisë demokratike, kandidati për kongres, John Boçeri gjithashtu nderoi amerikanët në uniformë. Zoti Boçeri, i cili është senator në Senatin e shtetit të Ohajos, si dhe ushtarak me gradën major, pilot i avionit të tipit C-130 të forcave rezerviste ajrore, ka kryer misione fluturimi në Irak dhe Afganistan. Ai iu kundërvu administratës së Presidentit Bush dhe kandidatit republikan për president, Xhon Mekein, për politikat e ndjekura në Irak.

“Si Presidenti Bush dhe senatori Xhon Mekein nuk kanë paraqitur një strategji për tërheqje. Ndërkohë që lufta në Irak po na kushton jashtëzakonisht në drejtim të jetëve të humbura, paratë e taksapaguesve amerikanë janë duke vërshuar në këtë vend, i cili nuk po ecën përpara. Ne jemi duke shpenzuar më shumë se 10 miliard dollarë në muaj për luftën, ndërkohë që standardi i jetës për miliona amerikanë po bie”.

John Boçeri gjithashtu kritikoi Presidenti Bush për kundërshtimin e paketës ligjore e cila garanton pagesë të plotë për universitetin për ata që shërbejnë në ushtrinë amerikane për 3 vjet. Senati e miratoi këtë ligj të enjten, me 75 vota pro dhe 22 kundër.

“Fatkeqësisht, Presidenti Bush kërcënon t’i vërë veton projekt-ligjit. Senator Mekeini, i cili shpreson të zërë vendin e tij, jo vetëm që e kundërshtoi atë, por kur iu dha mundësia për të mbështetur veteranët e tjerë në prag të mbrëmjes së fundjavës kur festohet dita e të rënëve, nuk erdhi as për të votuar ose për të shprehur ndonjë shqetësim”.

Zoti Mekein, veteran i Luftës së Vietnamit, ishte duke zhvilluar të enjten fushatë elektorale. Ai e kundërshton ligjin, po ashtu dhe Pentagoni, me shqetësimin se duke mundësuar një përfitim të tillë pas vetëm tre vjetësh shërbimi ushtarak, kjo do të inkurajonte njerëzit të largoheshin nga ushtria pas vetëm një mandati. Në vend të kësaj, zoti Mekein dhe kolegët e tij republikanë propozuan rritjen e përfitimeve në kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak të veteranëve. Demokratët në Senat e bllokuan këtë projektligj javën e kaluar.

Ditën e të Rënëve, Presidenti Bush do të vendosë një kurorë me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Në fjalën e tij në radio, zoti Bush i ftoi të gjithë amerikanët që së bashku, në mbrëmjen e ditës së nesërme, të mbajnë një minutë zi në kujtim të tyre. //iç//

XS
SM
MD
LG