Lidhje

Sonda amerikane Feniks pritet të ulet sot në Mars


Sonda e misionit të agjensisë amerikane të hapësirës Feniks është në fazën e saj të fundit në rrugën drejt planetit Mars. Nëse çdo gjë shkon në rregull, ajo do të ulet sot në siperfaqen e Marsit dhe menjëherë do të fillojë nga gërmimet për të studiur nëse planeti ka shenja uji dhe materialesh tjera, të cilat bëjnë të mundur jetesën në këtë planet.

Misioni i sondës Feniks nuk është aspak i sigurt. Në vitin 1999, një sondë e njejtë si Feniks, e quajtur Sonda Marsi Polar, u shkatërrua në sipërfaqen e Marsit. Uljet e suksesshme të fundit në këtë planet ishin ato të sondave Spirit dhe Opportunity. Të dyja ato u ulen fuqishëm, por ishin të mbrojtura me balona ajri. Ndërsa sonda Feniks është shumë e rëndë për t’u mbrojtur nga këto lloj balonash, prandaj ajo do të ulet me metodën e njohur duke u ngadalsuar me parashutë dhe pastaj me raketa retroaktive.

Zyrtari i NASA-s, Ed Vajlër, e pranon se uljet në Mars nuk kanë një histori të suksesshme.

"55 përqind e përpjekjeve për t’u ulur në mars kanë dështuar. Shtetet e Bashkuara kanë një histori më të mirë se vendet e tjera që janë përpjekur në këtë drejtim, sepse ne kemi pasur sukses në 5 nga 6 përpjekje. Por, 3 nga këto përpjekje janë bërë me balona ajri. Sonda Viking ka qenë e fundit që është ulur pa to dhe kjo ka qenë para 32 vjetësh”.

Shkencëtarët që punojnë me këtë projekt thonë se misioni i cili ka kushtuar rreth 420 milion dollarë është i arsyeshëm. Doug McCuiston është udhëheqës i Programit eksplorues të NASA-s.

"Ky është misioni i parë në pjesën arktike të marsit dhe njëkohësisht misioni i parë që do të hasë gjurmë uji në këtë planet. Moto e këtij programi ka qene “ shko pas ujit”, dhe këtë herë Sonda Feniks do të vijë gjejë ujë”.

Uji, natyrisht është pjesë përbërëse themelore për jetën. Ai do të ishte edhe shumë i nevojshëm nëse ndonjëherë qeniet humane vizitojnë këtë planet. Sateliti Odisej, i cili ka shtatë vjet që rrotullohet rreth Marsit, ka zbuluar ujë nën sipërfaqen e planetit. Kryestudiuesi i misionit të sondës Fenik, Peter Smith nga universiteti i Arizonës thotë se ujë ndodhet në lartësi të mëdha ku do të ulet Sonda dhe është kryesisht i ngrirë ose akull i përzier me baltë.

Po të krahasohej me tokën, vendi i uljes së Sondës Feniks është sikur ajo të ulej në Suedi, por me një ndryshim; në Mars është shumë, shumë më ftohtë. Parashikohet që sonda Feniks të qëndrojë në Mars të paktën 3 muaj dhe me krahun e saj 2 metra të gjatë do të gërmojë në sipërfaqen e planetit dhe materialet do t’i studiojë me instrumentet të cilat gjenden në bordin e saj.

Mostrat do të avullohen dhe analizohen me një spektometër dhe mikroskopët do të dërgojnë pamjet në tokë ku shkencëtarët do të kenë mundësi të shohin nëse përbërja e shkëmbinjëve mund të japë fakte për ekzistencën në të kaluarën të ujit në këtë planet. Ndryshe nga sondat Spirit dhe Opportunity, sonda Feniks nuk do të lëvizë nëpër sipërfaqe të planetit, por do të qëndrojë në një vend.

Në orët e para të ditës së hënë, inxhinierët në laboratorin e NASA-s në Kaliforni do të duhet të marrin sinjale radiofonike nga Marsi, sinjale, të cilave u nevojiten 15 minuta për të ardhur deri në tokë dhe të tregojë nëse Feniks është ulur me sukses apo jo. //iç//

XS
SM
MD
LG