Lidhje

Spekulimet në tregje ndër shkaqet kryesore për rritjen e çmimeve


Për çmimet e larta të ushqimeve në botë faji po hidhet disa faktorëve si bio-karburantet, rritja e kostos së energjisë dhe spekulimet e tregut. Megjithëse përgjithësisht ekspertët mendojnë se nuk ekziston një arësye e vetme që ka shkaktuar krizën, shumë prej tyre thonë se spekulimet në tregjet e mallrave janë ndër shkaqet kryesore për rritjen artificiale të çmimeve.

Çmimi i orizit dhe i grurit gjatë vitit të fundit është mbi dyfishuar. Çmimi i misrit, sipas vlerësimit të Bankës Botërore, u rrit 55 për qind në vitin 2007 dhe ai i sojës 42 për qind. Kombet e Bashkuara thonë se çmimet e artikujve ushqimorë në përgjithësi gjatë 9 muajve të fundit u rritën 45 për qind, që do të thotë se shumë vende në zhvillim shpenzojnë ndoshta 60 për qind të të ardhura të tyre për ushqime. Artikuj të tjerë si metalet dhe mineralet janë dyfishuar ose trefishuar gjatë vitit të fundit.

Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të mallrave në Shtetet e Bashkuara, i cili përfshin kompani që shkëmbejnë mallra të ndryshme në bursë si dhe çmimet e aksioneve të tyre, është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit.

Rritja e çmimit të energjisë dhe përdorimi i tokës bujqësore për prodhimin e bio-karburanteve kanë stimuluar ngritjen e çmimeve të artikujve të përditshëm.

Gjatë viteve të fundit, fondet amerikane të spekulimeve kanë investuar miliarda dollarë, gjë që ka pasur një ndikim shumë të madh tek tregjet globale, thotë ekonomisti Çed Hart, pranë Universitetit shtetror të Ajovës.

“Shumë investitorë përpiqen të investojnë jo vetëm në prodhimet bujqësore, por edhe në të gjitha mallrat e tjera si mënyrë për të mbrojtur fondet e tyre nga inflacioni dhe nga rënia e vlerës së dollarit”.

Analisti Çak Pirsën, pranë Shërbimeve të Mallrave Investuese në Minesota Ndërsa e pranon se spekullimet kanë kontribuar në ngritjen e çmimeve të mallrave. Por ai mendon se ka edhe faktorë të tjerë.

“Shumica e spekulatorëve janë investitorë që shfrytëzojnë momentin në treg. Kur çmimet rriten, ata hyjnë në treg dhe përfitojnë nga kjo rritje. Por çmimet janë ngritur për shumë arsye e jo vetëm nga spekulimi në treg”.

Komisioni amerikan që mbikqyr tregun e shkëmbimit të mallrave në bursë, shqyrtoi kohët e fundit ndikimin e spekulimeve me çmimet e mallrave bujqësore dhe arriti në përfundimin se rritja e çmimeve në përgjithësi nuk ka qenë rezultat i manipulimit të tregut.

Dean Baker, bashkë-drejtor i Qendrës për kërkimet ekonomike dhe politike këtu në Uashington, vë në dukje se ndikimi i spekulimit është i kufizuar, kurse kostoja e lartë e energjisë dhe shtimi i konsumit ka të ngjarë të zgjasin.

“Kur ka ngritje të shpejta të çmimeve, kjo ndodh pjesërisht si rezultat i spekulimeve. Por spekulimi, në vështrimin afatgjatë nuk mund t’i mbajë çmimet të larta, sepse prodhuesit e artikujve si misri apo gruri nuk mund të mos i hedhin këta artikuj në treg sepse ata prishen. Prandaj mendoj se çmimet e ushqimeve do të ulen pjesërisht. Por për deri sa të ketë zhvillim në Kinë, Indi dhe në vende të tjera, edhe kërkesa do të rritet, duke bërë çmimet e këtyre artikujve të rriten”.

Disa analistë thonë se çmimet e larta të mallrave, ndonëse janë fitimprurëse për investitorët, nuk janë doemos negative për ekonomitë në zhvillim. Një treg i tillë, thonë disa analistë, nxit novacionet dhe inkurajon fermerët e vegjël që të prodhojnë më shumë e të kenë më shumë fitime. Në të njëjtën kohë, çmimet e ushqimeve po vazhdojnë të ngrihen në nivele, që shumë analistë thonë se i kalojnë kufijtë e përballimit nga vendet e varfëra. //iç//

XS
SM
MD
LG