Lidhje

NASA studion fotografitë e dërguara nga planeti Mars

  • Brian Wagner

Shkencëtarët e NASA-s po studiojnë me imtësi fotografitë e dërguara në tokë nga sonda Feniks e cila u ul në sipërfaqen e planetit Mars të dielën mbrëma. Ekipi i shkencëtarëve po e përgatit tani sondën për të filluar analizën e kushteve klimatike dhe të dheut në sipërfaqen e planetit.

Imazhet e para të dërguara nga sonda Feniks tregojnë një peisazh të zhveshur ku duken shkëmbinj dhe gurë të vegjël si dhe një konfiguracion i ndërlikuar çarjesh dhe gropash. Shkencëtarët thonë se prania e këtyre të çarave është një lajm i gëzueshëm sepse tregon që aty ka akull sipërfaqësor, të ngjashëm me atë në Tokë.

Ekipi i analistëve kryesohet nga Peter Smith i Universitetit të Arizonës. Ai thotë se disa nga gropat që duken në fotografitë e dërguara nga sonda duket të jenë formuar jo shumë kohë më parë.

"Kjo i ngjan sipërfaqeve aktive në rajonet arktike të Tokës. Ajo tregon se kemi të bëjmë me sipërfaqe aktive, pra akulli është ende aty duke u zgjeduar dhe u tkurrur në varësi të stinëve."

Smith thotë se sonda është programuar të transmetojë fotografi të reja një herë në ditë, duke mbedhur imazhe të të gjithë sipërfaqes përrreth zonës ku ndodhet.

Sonda Feniks u ul të dielën mbrëma përmes një sistemi të ndërlikuar parashutash duke i dhënë fund udhëtimit prej 680 milion kilometrash për në Mars, udhëtim që zgjati rreth 300 ditë. Sonda pritet të realizojë një mision prej 90 ditësh gjatë të cilit do të gërmojë për të gjetur shenja që mund të flasin mbi ekzistencën e kushteve elementare të jetës në rajonin e polit verior të Marsit.


Në ditët e ardhëshme inxhinjerpt pritet të bëjnë gati pajisjet e sondës që do të analizojnë kushtet atmosferike dhe ato të dheut në këtë planet.

Smith thotë se krahët robot të sondës do të gërmojnë nëpër shtresat e dheut për të studiuar përbërjen e tyre dhe për të gjetur akull që mendohet se ndodhet disa centimetra nën sipërfaqe. Ai thotë se njëra nga shpresat më të mëdha të shkencëtarëve është të gjejnë mbetje të jetës organike të ngrirë në akullin sipërfaqësor.

"Pyetja që bëjmë ne është nëse në Mars ka ndonjë shenjë të pranisë së lëndës organike në këtë akull. Ndoshta lënda organike, nëse zbulohet, mund të ketë ardhur nga asteroidët apo kometat që kanë goditur planetin gjatë miliona e miliona viteve të fundit."

Smith thotë se misioni i sondës Feniks ka si objektiv rajonin e ngrirë polar sepse klima e nxehtë në rajonet e tjera do ta kishin shkatërruar çdo mbetje të lëndës organike që mund të ekzistonte aty, pra do të ishte e pamundur që prania e saj të zbulohej.

Snda Feniks është e treta që NASA dërgon në planetin Mars. Dy sondat e tjera ishin Spirit dhe Opportunity të dërguara atje në vitin 2004. //ii

XS
SM
MD
LG