Lidhje

Meksikë: Calderon vazhdon luftën kundër karteleve të drogës


Në Meksikë, Presidenti Felipe Calderon po e vazhdon luftën kundër karteleve të fuqishme të drogës, ndërsa numri i të vrarëve vazhdon të rritet. Mbi 1 mijë e 300 njerëz kanë vdekur këtë vit në Meksikë, gjatë dhunës që shoqëron tregtinë e paligjshme të drogës. Javët e fundit disa zyrtarët të lartë të policisë janë bërë objekt i bandave të drogës, duke i bërë disa analistë të shtrojnë pyetjen se kush do ta fitojë luftën, qeveria meksikane, apo grupet kriminale?

Që nga koha kur erdhi në pushtet në dhjetor në vitit 2006, Presidenti Kalderon ka çuar 25 mijë trupa meksikane për të luftuar kundër karteleve të drogës. Ai thotë se ato rrezikojnë sovranitetin e vendit.

Zoti Kalderon zotohet se do ta vazhdojë luftën kundër kujtdo që rrezikon shtetin, kryesisht kundër organizatave kriminale. Por gjendja është acaruar sidomos pas vrasjes më 8 maj të Shefit të Policisë së qytetit të Meksikës, Edgar Millan Gomez.

Analisti politik George Friedman, i cili kryeson Kompaninë private të Zbulimit Stratfor në Austin, të Teksasit, thotë se Meksika mund të shndërrohet në një shtet të dështuar, në se qeveria nuk ndërmerr një luftë të fuqishme ndaj karteleve të drogës.

"Në se Kalderon nuk reagon në mënyrë të efektshme ndaj vrasjeve, çdo ministër i qeverisë së tij do ta gjejë veten të rrezikuar dhe kjo do ta ndryshojë sjelljen e tyre".

Zoti Friedman thotë se Meksika mund të shndërrohet në një fushë betejash, ashtu sikurse Kolombia në vitet ’80, kur kartelet e drogës zhvilluan spastrime në disa qytete, si masa ndëshkimore. Ai thotë se ushtritë private të karteleve meksikane të drogës u ngjajnë milicive që kanë minuar qeveritë në vende të tjera të botës.

"Në Meksikë ne po shohim, ashtu sikurse në Liban, që milicia është më e fortë se vetë ushtria libaneze. Çështja me të cilën përballemi sot, është në se shteti meksikan mundet t’i luftojë me të gjithë fuqinë forcat milicore të karteleve. Tani nuk është e qartë në se ato nuk mundet ta bëjnë një gjë të tillë dhe kjo është pikërisht kriza me të cilën përballet Meksika".

Presidenti George Bush po përpiqet ta ndihmojë Presidentin Kalderon me një paketë ndihmash dhe trajnimesh të forcave antidrogë. Ky vendim u mor pas një takimi mes të dy udhëheqësve vitin e kaluar në Merida të Meksikës. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi paketën duke shkurtuar disa nga fondet e propozuar. Paketa mbetet të miratohet në Senat dhe Presidenti vazhdon ta mbështesë atë.

Analisti George Friedman thotë se edhe në se miratohet paketa e ndihmave me vlerë prej 400 milionë dollarësh, ajo mund të jetë e pamjaftueshme dhe e vonuar. Ai shton se megjithatë, Shtetet e Bashkuara rrezikojnë shumë në këtë çështje, për shkak të mundësisë së përhapjes së dhunës përtej kufirit meksikan, gjë që do ta dëmtonte tregtinë mes të dy vendeve, që është tepër jetike. //iç//

XS
SM
MD
LG