Lidhje

Amerikanët nderojnë të rënët në luftra


Në Shtetet e Bashkuara të hënën u shënua Dita e të Rënëve dhe me këtë rast, Presidenti Xhorxh Bush nderoi kujtimin e amerikanëve që kanë dhënë jetën duke kryer shërbimin ushtarak për vendin.

Presidenti iu drejtua veteranëve dhe familjeve të tyre gjatë një ceremonie të zhvilluar në Varrezat Kombëtare pranë Uashingtonit. Ai tha se ndjehej krenar për sakrificat e personelit ushtarak. Presidenti shtoi se udhëheqësit e kombit duhet të tregohen të guximshëm dhe me karakter dhe të ndjekin shembullin e atyre që kryejnë shërbimin ushtarak në mbrojtje të lirisë.

Gjatë ceremonisë, Presidenti vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur.

Në varrezat kombëtare pranë Uashingtonit prehen eshtrat e mbi 300 mijë vetëve, shumë prej të cilëve pjesëtarë të forcave të armatosura, por edhe astronautë, eksploratorë dhe 2 presidentë amerikanë, William Taft dhe John Kenedi si dhe individë të tjerë të shquar të kombit amerikan.

Dita e Dëshmorëve shënohet çdo vit në të hënën e fundit të muajit maj me ceremoni dhe aktivitete të tjera përkujtimore në mbarë vendin. Tradicionalisht, kjo ditë që është caktuar pushim, si dhe fund-java që i paraprin asaj, shënojnë fillimin e sezonit të pushimeve verore në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG