Lidhje

Njujorkezët festojnë 125-vjetorin e Urës së Bruklinit


Një nga arritjet inxhinierike të shekullit të 19-të, Ura e Bruklinit, mbush 125 vjet. Ky sinor i Nju Jorkut lidh Bruklinin me Manhatanin. Kullat e saj gotike prej guri dhe rrjeta prej litarëve të çelikut kanë qenë prej shumë kohësh simbol i qytetit. Ndërsa, njujorkezët e nderojnë përvjetorin e urës me pesë ditë festime.

Ura e Bruklinit lidh dy nga zonat më të populluara në Shtetet e Bashkuara, Manhatanin me Bruklinin, i cili ishte qytet i pavarur deri në vitin 1898. Me një gjatësi prej afro dy kilometrash, Ura e Bruklinit ishte ura më e gjatë e varur në kohën që u ndërtua në vitin 1883. Projekti mori 13 vjet të ndërtohej dhe kushtoi më shumë se 25 milionë dollarë.

Inxhinieri Xhon Augustus Robling ishte projektuesi i urës. Kullat me harqe dhe rrjetat prej kabllove të çelikut e kanë bërë këtë urë ikonë strukturore dhe kulturore të Nju Jorkut. Pas vdekjes së arkitektit Robling, djali i tij Uashington, e mori përsipër projektin. Një vit pas hapjes së urës, afaristi i cirkut P.T. Barnum provoi sigurinë e e urës duke e përshkuar atë me një kope prej 21 elefantësh.

Tani, pas 125 vjetësh, më shumë se 126 mijë automjete e përshkojnë këtë urë çdo ditë. Por ura është objekt popullor edhe për ekspozita arkitekturale dhe fotografie. Ajo shihet shpesh në filmat ku shfaqet qyteti i Nju Jorkut. Në vitin 1964 Ura e Bruklinit u shpall monument kombëtar kulture.

Duke folur me rastin e festimeve të 125-vjetorit të urës, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg e quajti atë një frymëzim dhe mrekulli të pakrahasueshme të inxhinierisë. “Që kur punëtorët e ndërtimit filluan të gërmonin themelet në vitet 1870, Ura e Bruklinit ka qenë gjithmonë pjesë e ëndrrave, ikonë e qytetit të Nju Jorkut dhe simbol i qendrueshëm i madhështisë amerikane. Presidenti Çester Arthur e quajti atë mrekullinë e tetë të botës.”

Qindra njujorkezë dhe vizitorë, të rinj dhe të moshuar, morën pjesë në festime, duke ndjekur shfaqjet ku merrnin pjesë muzikantë të ndryshëm, duke përfshirë Orkestrën Filarmonike të Bruklinit. Mes pjesëmarrësve të tjerë ishte edhe kori IMPACT i Harlemit, me këngën “Raise it Up.”

Kompozitori fitues i shumë çmimeve Marvin Hamlish e mbylli koncertin me një këngë të veçantë kushtuar Urës së Bruklinit.

Kryetari i bashkisë Blumberg dhe presidenti i Bruklinit Marti Markovic paraqitën një tortë në formën e urës dhe së bashku me turmën i uruan asaj ditëlindjen.

Ceremonia e ndriçimit të plotë të urës dhe fishekzjarret i dhanë fund mbrëmjes mes vëzhguesve të mahnitur. Një seri filmike, leksione dhe një tur me biçikleta janë mes aktiviteteve të tjera të përgatitura për festimin e ditëlindjes së Urës së Bruklinit. //bsa//

XS
SM
MD
LG