Lidhje

Përgjigjia ndaj katastrofave mund të ndryshojë politikën


Cikloni në Birmani dhe tërmeti në Kinë kërkojnë një ndihmë të madhe nga qeveritë përkatëse. Të dyja katastrofat kanë nxitur gjithashtu oferta nga mbarë bota për ndihmë në zonat e prekura. Por përgjigjet kineze dhe birmaneze, si ndaj ndihmës nga brenda vendit ashtu edhe ofertave për ndihmë nga jashtë kanë qenë krejtësisht të ndryshme.

Kur cikloni shkatërroi shtëpitë duke i kthyer në copa mbi lumin Irrawaddy të Birmanisë apo kur tërmeri shkundi provincën Sichuan duke i shndërruar në gërmadha ndërtesat e duke lënë mijëra vetë të vdekur e të pastrehë, të lind instikti human për të ndihmuar të prekurit. Por shpesh në përpjekjet e shpëtimit hyn politika.

Barry Scanlon, ish zyrtar i lartë në Agjencinë federale amerikane për Menaxhimin e Emergjencave, apo FEMA, thotë se mbarëvajtja e ndihmës ndaj katastrofave, si nga qeveritë e vendeve të ndikuara ashtu edhe nga vendet kontribuese ndikohet nga politika.

“Katastrofat godasin këdo. Dhe kur kërkojmë të shkojmë e të ndihmojmë kjo i bën qeveritë që i pranojnë këto ndihma të duken mirë, pasi ata arrijnë të ndihmojnë njerëzit e tyre dhe sigurisht na ndihmon ne në skenën botërore, apo cilindo vend tjetër që ofron ndihma”.

Përgjigjet e qeverive birmaneze apo kineze ndaj katastrofave janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Kina tregoi një hapje të paparë ndërsa dislokoi punonjës dhe ndihma të mëdha në rajon të shoqëruar nga gazetarë kinezë dhe perendimorë, si dhe kryeministri Wen Jiabao.

Por junta ushtarake në Birmani fillimisht refuzoi të pranonte ndihmë apo punonjës të huaj në vend. Edhe kur ndihma më në fund u lejua, ndërkohë që shumë nga punonjësit e huaj dhe gazetarët u mbajtën larg – qeveria e mori atë nën kontroll dhe këmbënguli ta shpërndante vetë atë. Barry Scanlon thotë se këtu luhet politika ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht duket se situatat politike në disa vende të botës ndihmon njerëzit të marrin vendime të gabuara dhe nuk i lejon ata të marrin ndihmën atëherë kur kanë nevojë për të”.

Richard Olson është profesor i shkencave politike në Universitetin Ndërkombëtar të Floridas, ku ka shkruar shumë lidhur me mënyrën se si përgjigjet e qeverive ndaj katastrofave mund të kenë pasoja politike. Ai thotë se udhëheqësit kinezë kanë nxjerrë mësime nga mënyra sesi janë përgjigjur ndaj katastrofave në të kaluarën.

“Duket se kanë një gjykim shumë inteligjent dhe të zgjuar dhe kanë besimin e popullit duke arritur të përgjigjen si duhet dhe duke pranuar ndihmat e huaja”.

Mësimet e nxjerra nga dështimet politike në përgjigjet ndaj katastrofave ishin evidente në Shtetet e Bashkuara në vitin 2005 kur uragani Katrina goditi Gjirin e Meksikës. Megjithë kritikën e gjerë për përgjigjen e qeverisë ndaj katastrofës, presidenti Bush vlerësoi drejtorin e atëhershëm të FEMAs Michael Browny.

“Browny, po bën një punë shumë të mirë. Drejtori i Femas po punon 24 orë në ditë. Mendimi im është se nëse punët nuk shkojnë tamam siç duhet, do t’i rregullojmë. Nëse ka probleme, ne do t’i zgjidhim”, tha presidenti.

Dhe zoti Browny dha dorëheqjen pas 10 ditësh.

“Nuk kishte dyshim për administratën e presidenti Bush, pas uraganit Katrina kur kuptuan jo vetëm përmasat e katastrofës por edhe koston politike që ajo po shkaktonte, se duhej një përgjigje më e koordinuar. Por tre-katër ditët e para ishin të tmerrshme jo vetëm për viktimat por edhe politikisht për administratën”.

Analistët theksojnë gjithashtu se qeveritë e huaja mund të fitojnë pikë politike me ndihmat ndaj një vendi që mund të jetë armiqësor. Por kjo është edhe një arsye thonë ata, përse disa qeveri nuk duan ndihmë të huaj.

XS
SM
MD
LG