Lidhje

Mekejn: Do të reduktoj arsenalin bërthamor të SHBA-së, nëse zgjidhem


Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale Xhon Mekejn thotë se do të reduktojë arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara, nëse zgjidhet president.

Në një fjalim të martën në qytetin Denver të shtetit Kolorado, zoti Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin rolin udhëheqës në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore në të ardhmen.

Duke vënë në dukje kërcënimin bërthamor që paraqesin Irani dhe Koreja e Veriut, zoti Mekejn hodhi poshtë idenë që Presidenti amerikan të takohet me udhëheqësit e këtyre vendeve. Ai shtoi se veprimet ushtarake duhen ndërmarrë, vetëm kur janë ezauruar masat e tjera.

Protestues kundër luftës ndërprenë disa herë fjalimin e zotit Mekejn. Ai u përgjigj duke thënë se “nuk do të dorëzohej kurrë në Irak.”

Sonte Presidenti Bush do të marrë pjesë së bashku me zotin Mekejn në një aktivitet për grumbullim fondesh në qytetin Finiks të Senatorit Mekejn. Megjithëse Senatori e ka mbështetur Presidentin Bush për luftën në Irak, ai është distancuar në vija të përgjithshme nga administrata aktuale. //bsa//

XS
SM
MD
LG