Lidhje

Ish-Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë kritikon Presidentin Bush për luftën në Irak


Ish-zëdhënësi i presidentit amerikan Xhorxh Bush thotë se presidenti ka bërë fushatë propagandistike me qëllim që të manipulonte burimet e opinionit publik për të bindur popullin amerikan lidhur me luftën në Irak. Në librin prej 341 faqesh Skot Meklellën, ish sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë shkruan se presidenti Bush nuk ishte i hapur dhe i sinqertë për çështjen e Irakut. Libri do të hidhet në treg javën e ardhshme dhe titullohet “Çfarë ndodhi: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Bush dhe Kulturës Mashtruese të Uashingtonit”.

Skot Meklellën thotë se gjatë tre viteve të punës së tij si sekretar shtypi në Shtëpinë e Bardhë mbrojtja e tij për presidentin ka qenë e sinqertë.

“Presidenti ka thënë se askush nuk do ta kryejë këtë punë me sukses më shumë se ai”, shprehej ai në një konferencë shtypi kur ishte zëdhënës.

Por tani zoti Meklellën thotë se disa komente nuk kanë qenë të bazuara në informacione të sakta. Pёr luftën në Irak, ish sekretari i shtypit thotë se ajo ishte një gafë strategjike dhe gabim i madh. Por zoti Meklellën thotë se gabimi më i madh në administratën e presidentit Bush ishte vendimi për të lënë pas sinqeritetin dhe ndershmërinë pikërisht në kohën kur këto cilësi ishin më të nevojshme. Ai thotë se administrata ka përdorur propagandën për ta shitur luftën.

Zoti Meklellën thotë se arsyeja kryesore që e shtyu të shkruante librin ishte zbulimi i emrit të agjentes së CIA-s Valeri Plejm, ku ai doli në mbrojtje të Karl Rove, këshilltarit më të lartë të presidentit dhe Skuter Libit, shefit të stafit të zv/presidentit Dik Çeni.

Zoti Meklellën thotë se kur fjalët e tij u përgënjeshtruan ai u detyrua që për shkak të detyrës së tij dhe besnikërisë ndaj presidentit të mos komentonte. Tani ai thotë se ishte gënjyer nga zoti Rove dhe zoti Libi. Zoti Meklellan e quan zotin Rove si një operativ që vë përfitimet politike para interesave kombëtare. Por mbrëmë, zoti Rove iu përgjigj komenteve të zotit Meklellan.

“Këto nuk më duken si komentet e Skot Meklellënit që kam njohur unë, por si komentet e një majtisti. Nëse ka pasur dilema morale, atëherë ai duhet të kishte folur”.

//IB
XS
SM
MD
LG