Lidhje

Ariu polar, mes kafshëve që kërcënohen nga zhdukja

  • Pol Sisko

Qeveria e Shteteve të Bashkuara i përfshiu para pak kohe arinjtë polarë në listën e kafshëve të kërcënuara sipas Ligjit për Speciet e Rrezikuara. Por shkencëtarët e administratës vendosën se për këtë specie ekziston mundësia që të kalojë në fazën ku rrezikon të zhduket. Zyrtarët cituan prirjet e ngrohjes globale dhe humbjen e akujve në oqean si kërcënim ndaj arinjve, duke hapur debatin nëse duhet të merren masa për gazrat që shkaktojnë efektin serë për të mbrojtur arinjtë dhe vendbanimet e tyre.

Për shumë ambjentalistë ariu polar është bërë simbol shqetësimi për ngrohjen globale. Studimet në terren dhe imazhet satelitore nga viti 1979 deri në vitin 2007 tregojnë një shkrirje të vazhdueshme të akullnajave të Arktikut. Sekretari i departamentit të punëve të brendshme Dërk Kemptorn.

“Meqenëse arinjtë polarë janë të ndjeshëm ndaj humbjes së vendbanimeve të tyre, sipas mendimit tim, ata mund të bëhen specie e rrezikuar në një të ardhme të afërt, në këtë rast në 45 vjet.”

Qeveria njofton se vitin e kaluar sasia e akullit në Arktik ra në nivelin më të ulët të shënuar ndonjëherë nga sateliti. Shkencëtarja e mjedisit Sinthia Rozencvajg:

“Arinjtë polarë kanë nevojë për akullin e oqeanit për të qenë në gjendje të marrin ushqim nga uji, prandaj, pa këto akuj, as arinjtë e vegjël dhe as prindërit e tyre nuk mund të gjejnë ushqim.”

Tre grupe ambjentaliste kërkuan që arinjtë të përcaktoheshin si specie e kërcënuar që para tre vjetësh. Ata thanë se qeveria u vonua në marrjen e një vendimi për të shmangur trajtimin e çështjes së ngrohjes globale.

Zoti Kemptorn thotë se ky vendim është bazuar në shkencë dhe nuk duhet t’u hapë rrugë rregullimit të gazrave të çliruara.

“Dua ta bëj të qartë se futja në këtë listë nuk do ta ndalë ndryshimin e klimës globale apo të parandalojë shkrirjen e akullit në oqean,” - thotë ai.

Grupi ambjentalist "Greenpeace" akuzon administratën se është përpjekur të pakësojë mbrojtjen e vendbanimeve në Arktik. Megjithëse numri i arinjve polarë është rritur në 25 mijë gjatë këtyre 40 viteve, shkencëtarët e qeverisë thonë se ngrohja globale mund të bëjë që këto arinj të bëhen specie e rrezikuar brenda 30 vjetëve.//lk

XS
SM
MD
LG