Lidhje

Ish-zëdhënësi i Presidentit Bush dënon ndërhyrjen amerikane në Irak


Një libër i ri, i shkruar nga ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Skot Meklelan, ka ngjallur polemika të shumta në Uashington. Në libër thuhet se vendimi i Presidentit Bush për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak 5 vjet më parë ishte një gabim i rëndë strategjik. Administrata e Presidentit Bush u është kundërpërgjigjur këtyre akuzave dhe se Presidenti i doli në mbrojtje vendimit të tij për të ndërhyrë në Irak:

Skot Meklelan ka punuar 7 vjet për zotin Bush, fillimisht kur ai ishte guvernator i Teksasit dhe më pas kur u zgjodh president, kur për tre vjet Meklelan mori detyrën e zëdhënësit kryesor të Shtëpisë së Bardhë. Për këtë arsye libri me tone thellësisht kritike ndaj Presidentit, ku Xhorxh Bush cilësohet si një udhëheqës që ka humbur lidhjet me realitetin dhe nuk pranon gabimet, ka zgjuar një reagim të ashpër nga përkrahësit e Presidentit Bush.

Zëdhënësja aktuale e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino thotë se Skot Meklelan duket se ka mbetur i pakënaqur nga përvoja e tij, gjë që ajo e cilëson për të ardhur keq. Ajo shton se ata që më parë e mbështesnin Skot Meklelan, qoftë kur ishte zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, por edhe më pas, kanë mbetur të shtangur pasi këto janë pikëpamje që ai nuk i kishte përmendur asnjëherë. Ish-shefja e Zyrës së Antiterrorizmit pranë Shtëpisë së Bardhë, Fren Tausend tha në një intervistë për rrjetin CNN se mendon që vendimi i zotit McClellan për të shkruar këtë libër ishte egoist dhe jo-profesional.

Në pasazhe të librit të botuara nga gazetat New York Times dhe Washington Post, Skot Meklelan shkruan se Presidenti kishte dhënë thuajse garanci të plota se përdorimi i forcës do të mbetej e vetmja alternativë funksionale në Irak duke u mbështetur në një fushatë agresive propagandistike, në vend të së vërtetës, për të justifikuar një luftë të cilën ish-zëdhënësi McClellan e cilëson si të panevojshme. Për më tepër, ai e cilëson luftën si një “gabim të rëndë.”

Ish-këshilltari më i lartë politik i Presidentit Bush, Karl Rouv, tha në një intervistë për kanalin televiziv Fox News Channel se nuk i kujtohet të ketë dëgjuar ndonjë koment të tillë nga Scot McClellan më parë: "Këto komente nuk ngjajnë aspak me fjalët e Skotit. Së paku jo me Skotin që kam njohur unë për vite të tëra. Për më tepër, këto komente u ngjasojnë fjalëve të një komentatori të majtë."

Libri është një rrëfim me tone mjaft negative për administratën e Presidentit Bush, i shkruar nga një teksan që e njihte nga afër këtë administratë. Ai i ka dalë në mbrojtje luftës në Irak deri në muajt e fundit para se të jepte dorëheqje nga posti në vitin 2006. “Presidenti Bush beson se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin rol udhëheqës dhe të tregohen aktive. Ne kemi arritur gjëra madhështore gjatë 4-5 vjetëve të fundit, por mbetet ende punë për të bërë,” pat thënë Meklelan, kur ishte zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Në librin e tij të ri, Skot Meklelan tani pohon se disa nga deklaratat që ka bërë në publik ishin produkt i parimeve të gabuara, por ai shton se kishte folur me sinqeritet. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino thotë se Presidentit Bush ia kanë përshkruar përmbajtjen e librit të zotit Meklelan, por nuk pritet që Presidenti të japë ndonjë reagim zyrtar.

Në komentet që bëri në Kolorado në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Akademisë së Forcave Ajrore, Presidenti Bush u doli përsëri në mbrojtje luftrave në Irak dhe Afganistan si akte të nevojshme për të parandaluar një tjetër sulm ndaj Shteteve të Bashkuara. "Suksesi do të arrihet kur Iraku dhe Afganistani të forcohen dhe të shndërrohen në aleate të afta në luftën kundër terrorizmit. Djem e vajza të forcave ajrore, këto suksese do të arrihen, dhe kur të vijë ajo ditë, vendi ynë do të ketë arritur fitore dhe populli amerikan do të jetë më i sigurtë".

Kur Skot Meklelan dha dorëheqjen nga detyra e zëdhënësit në prill 2006, ai tha se ndjente nder dhe mirënjohje që kishte qenë një pjesë e vogël e atij që e cilësoi si një ekip i shkëlqyer dhe i talentuar me njerëz shumë të mirë. Presidenti Bush tha në atë kohë se Meklelan e kishte përmbushur detyrën e tij me fisnikëri dhe integritet. Presidenti shtoi se përfytyron një ditë në të ardhmen kur të jenë të dy të ulur në shezlonge në Teksas duke diskutuar ditët që kishin kaluar në Shtëpinë e Bardhë kur Skot Meklelan ishte zëdhënës i Presidentit.

Libri i ish-zëdhënësit Skot Meklelan, me titull “What Happened: Inside the White House and Washington’s Culture of Deception” “Çfarë ndodhi: Brenda Shtëpisë së Bardhë dhe Traditës së Mashtrimit në Uashington” pritet të dalë për shitje më 1 qershor. //ad//

XS
SM
MD
LG