Lidhje

Menduh Thaçi: Sukseset e PDSH-së gjatë qeverisjes janë tepër të mëdha

  • Laura Konda

Të dielën në Maqedoni mbahen zgjedhjet e parakohëshme paralamentare. Këto zgjedhje u kërkuan nga partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrimin dhe u mbështetën nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE. Fushata parazgjedhore është karakterizuar nga replika të ashpra, akuza të ndërsjella, si dhe me incidente me dhunë, sidomos mes partive shqiptare, PDSH dhe BDI. Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në programin televiziv “Ditari”, zotin Menduh Thaçi Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, që bën pjesë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju keni shprehur me optimizëm për fitore në këto zgjedhje, ndërkohë që shumica e anketave tregojne se Partia juaj është e dyta përsa i përket mbështetjes së shqiptarve. Ku e bazoni ju këtë optimizëm?

Menduh Thaçi: Pikërisht tek ato anketa, për të cilat ju flisni, një pjesë e madhe e të cilave na nxjerrin ne si fitues, me përparësi shumë të madhe me oponentët tanë politikë dhe normalisht, në atë punë që ne kemi bërë në këta 8 muaj në qeveri. Besojmë se kemi bërë shumë që të vazhdojnë të na mbështesin, për ta çuar këtë proces deri në fund.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, partia juaj mori vendimin për t'u larguar nga qeveria dhe vendosi kushte për qëndrimin në të. Në atë kohë ky vendim u komentua nga disa si një lojë politike, apo si presion për të siguruar mbështetje mes votuesve. Çfarë qëndrimi do të mbante partia juaj, në se do të kërkohet që pas zgjedhjeve ju të hyni përsëri në koalicion me partinë VMRO-DPMNE?

Menduh Thaçi: Nuk ka qenë lojë, ato kërkesa ne i bëmë pjesë të marrëveshjes me paratnerin e koalicionit dhe pjesë e agjendës qeverisë së Maqedonisë. Megjithatë, opozita shqiptare, kur vërejti se ne filluam t’i plotësojmë disa prej këtyre kërkesave, me ngut kërkoi shumë shpejt zgjedhje të parakohëshme, për arsye se mund të humbnin shumë nga mbështetja e tyre. Kjo marrëveshje, e cila është arritur në muajin mars mes meje dhe kryeministrit Gruevski, është normalisht agjenda e qeverisë së Maqedonisë, që do të vazhdojë të ekzekutohet menjëherë pas 1 qershorit.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Maqedonia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet e pavarur. Ju keni qënë pjesë e bashkëqeverisjes. Kur pritet që Maqedonia ta njohë Kosovën dhe a pritet që kjo njohje të bëhet para shënimit të vijës kufitare me Kosovën, siç është thënë?

Menduh Thaçi: Po, sigurisht, që do të bëhet para shënimit të vijës kufitare, vullneti politik është i definuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës; ka edhe shumë fakte dhe argumente që flasin se tashmë gati në aspektin formal Maqedonia e ka njohur qeverinë e Kosovës. Qeveria e Maqedonisë është qeveria e pare që e ka pranuar planin e Ahtisaarit; komisionet e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë ka mbetur vetëm ta nënshkruajnë formalisht njohjen e dyanshme. Kërkesa për zgjedhje e opozitës shqiptare vetëm se e zgjati për dis javë, apo për disa ditë këtë njohje zyrtare. Fundi fundit, në se Maqedonia do dhe unë kam bindjen se e do, bashkëpunimin me SHBA-në dhe ftesën për në NATO, sigurisht që do të jetë e detyruar shumë shpejt që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, si do t’i cilësonit marrëdhëniet tuaja me udhëheqjen e Kosovës? Para disa javësh ju nuk morët pjesë në një takim të organizuar nga Presidenti Sejdiu me udhëheqësit e tjerë politikë të shqiptarëve në Maqedoni?

Menduh Thaçi: Mendoj se ai takim edhe në aspektin procedurial edhe në atë politik, nuk ishte i organizuar mire. Unë vlerësova se do t’i bënte shumë dëm Kosovës, sepse nuk mund të zhvillohen takime të menjëhershme me të gjithë liderët, pasi në atë rast Kosova rrezikohet të marrë mbi vete paternalizimin mbi politikën shqiptare në Maqedoni. Raportet janë korrekte me intitucionet, por është e drejtë e secilës parti në demokraci, që të ketë afërsi me një parti, apo me një parti tjetër. Mendojs e kjo duhet të jetë kultura e re politike e forcave politike shqiptare dhe institucioneve të shteteve të shqiptarëve. Ata që drejtojnë institucionert duhet të kenë një neutralitet të plotë për partitë politike, pavarësisht ku janë ata, në Shqipëri, në Maqedoni, apo në Kosovë, ndërsa liria e partive poltike është që të jenë me një parti, më të afërt.

Zëri i Amerikës: Rivali juaj, zoti Ahmeti, ditët e fundit ju ka akuzuar drejtpërdrejtë se qëndroni pas një përpjekjeje për atentat ndaj tij duke thënë se dy të ndaluarit janë veprimtarë të partisë suaj, madje njeri prej tyre është një ish-truproja tuaja? Si qëndron e vërteta, a kanë qenë këta persona të lidhur me partinë tuaj?

Menduh Thaçi: Zoti Ahmeti nuk ka patur atentat, ai bën një mashtrim mbase ka nevojë që prej agresorit të kalojë në viktimë, ai në kohën e qeverisjes së tij mban mbi vete 500 djem të vrarë. Normalisht, kjo është një komedi do të kisha thënë, tërësisht romantike; përsa i përket akuzës politike, apo për marketim politik që ai e bëri, duhet të jetë i vetëdijshëm se ai, me atë deklaratë, me aluzion, ka bërë nxitje tek njerëzit, për të m’u bërë mua atentat. Me këtë deklaratë do të merret Prokurori i Republikës së Maqedonisë, pas zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Komuniteti Ndërkombëtar e ka bërë të qartë se në se zgjedhjet nuk zhvillohen të qeta dhe pa incidente, përpjekjet e Maqedonisë për integrim në BE do të dëmtoheshin seriozisht. A mund të garantoni ju, të paktën për atë pjesë të politikës që ju drejtoni, se zgjedhjet do të jenë të qeta dhe pa incidente me dhunë?

Menduh Thaçi: Pa dyshim se mund të garantoj dhe të gjithë kundërshtarët e mi politikë do të mundohen të hedhin fajin tek PDSH, vetëm dua t’ju kujtoj se nuk e kanë të lehtë që një parti politike që vepron 16 vjet dhe që ka 5 vjet në pushtet dhe 11 në opozitë, aq lehtë ta etiketojë si një parti që përdor dhunë, apo bën incidente. Janë të tjerët që u futën në skenën politike me dhunë, me plumba, me goditje, me vrasje, me grabitje të votive; mirëpo unë jam plotësisht i sigurtë se qeveria e Maqedonisë ka kapacitete institucionale, që ditën e zgjedhjeve të mundësojë një mënyrë korrekte, demokratike dhe shprehje të lirë të vullnetit politik dhe secilit qytetar.

Zëri i Amerikës: Si partia juaj, edhe ajo e zotit Ahmeti, keni premtuar gjatë fushatës më tepër të drejta për shqiptarët. Në thelb, cili është dallimi mes dy partive tuaja?

Menduh Thaçi: Dallimi është shumë i madh, se zoti Ahmeti erdhi me atë kërkesën sublime për çlirim kombëtar, në fakt nga ajo politikë u vranë qindra djem të rinj dhe u derdh shumë gjak; ai erdhi me kërkesën për të marrë miliona dollarë dhe EURO prej popullit për ta ndihmuar kryengritjen për çlirim; ai erdhi dhe mori një numër shumë të madh të votive, 80 për qind në vitin 2002 dhe kishte një numër shumë të madhe të deputetëve dhe për 4 vjet në qeverisje nuk realizoi edhe minimalen, të hapë një paralele në gjuhën shqipe, së paku në Manastir. Kjo politikë është tërësisht e dështuar, ndërsa sukseset tona 16 mujore, apo 18-mujore në qeveri, janë marramendëse, në se krahasohen me mossukseset e qeverisjes së partisë tjetër, që tani është në opozitë. E dyta, absolutisht nuk mund të krahasohen ekipet drejtuese të këtyre dy partive; PDSH ka një ekip të përgatitur politikisht dhe profesionalisht, për ta çuar procesin përpara; ndërsa BDI është një strukturë me politikë të vjetër, me njerëz të vjetër, të cilët, më vjen shumë keq, por nuk kanë edhe njohuri elementar se çfarë do të thotë pyetsori evropian, le pastaj çdo të thotë përgjigja në atë pyetsor.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, pas formimit të BDI-së erdhi Marrëveshja e Ohrit. Të dyja partitë thonë se punojnë për të drejtat e shqiptarëve, po një tensionim kaq i madh mes tyre, a nuk e dëmton vetë këtë objektiv të tyre dhe në fund të fundit vetë të drejtat e shqiptarëve në vendin tuaj?

Menduh Thaçi: Marrëveshja e Ohrit është dashur të përfundojë në vitin 2004. Mospasja e politikës efikase të BDI-së e pruri situatën që tani jemi në vitin 2008 dhe mund t’ju them hapur se asgjë prej asaj marrëveshjeje nuk është realizuar. Unë mendoj se insistimi për me i nxi shqiptarët në Maqedoni, se ata nuk janë në gjendje të bëjnë zgjedhje korrekte, vijnë nga qendra shumë antishqiptare dhe nuk duam të bëhemi pre e tyre. Vazhdoj të jem i sigurtë, që zgjedhjet do të jenë korerkte, të drejta dhe demokratike.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit ju dhjënë disa sinjale kontradiktore lidhur me të ardhmen tuaj politike pas zgjedhjeve. A do të vazhdoni të qëndorni në krye të partisë pas zgjedhjeve?

Menduh Thaçi: Ne dallojmë shumë. Unë kam nja 8 muaj që jam kryetar partie; mendoj që fitorja është e sigurtë, por nuë për atë fitore do t’i ndërtoj shkallët nga lart poshtë, pra për t’u tërhequr nga politika; mbetet një kohë jo shumë e gjatë, gjatçë së cilës mendoj t’i qëndroj në krah ekipit të PDSH-së, që t’i ndihmoj dhe t’i këshilloj.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju faleminderit për intervistën!

XS
SM
MD
LG