Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje Amerikës të angazhohet për rindërtimin e Irakun


Presidenti Xhorxh Bush po i bën thirrje Amerikës të angazhohet për të rindërtuar Irakun, duke bërë paralelizma me rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën kohë, ish-zëdhënësi i presidentit Bush është në faqet e para të gazetave me një denoncim publik të politikës së administratës për luftën në Irak.

Ishte një ngjarje e përshkuar nga patriotizmi – presidenti mbajti fjalim para të diplomuarve në Akademinë e Forcave Ajrore amerikane. Ai tha se kadetët e dinë shumë mirë rëndësinë e luftës kundër terrorizmit. “Ju u regjistruat në këtë akademi pas sulmeve të 11 shtatorit. Erdhët në këtë akademi duke e ditur përgjegjësinë e ushtrisë sonë për të mbrojtur popullin amerikan. Dhe largoheni nga kjo akademi për të zënë vendin tuaj në këtë betejë të madhe, tha presidenti.”

Presidenti foli për brezin e të atit të tij, i ashtuquajtur “brezi i madhërishëm” që luftoi dhe fitoi Luftën e Dytë Botërore. Zoti Bush tha se pasardhësit e asaj gjenerate kanë një detyrim moral për të luftuar ekstremistët dhe për të përkrahur një Irak demokratik. “Po përballemi përsëri me njerëz të djallëzuar që përbuzin lirinë, urrejnë Amerikën dhe synojnë të vendosin miliona njerëz nën sundimin e tyre të dhunshëm. Përsëri, vendit tonë i kërkohet të mposhtë këta armiq dhe të sigurojë paqen për miliona njerëz në mbarë botën dhe përsëri armiqtë tanë nuk do të mund të fitojnë ndaj burrave dhe grave të Forcave Ajrore Amerikane.”

Zoti Bush pranoi se rindërtimi i Japonisë dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ndodhi në një kohë kur forcat aleate nuk sulmoheshin. Ai tha se e di që detyra tani do të jetë e vështirë, por shtoi se Amerika duhet të ngulmojë për të dalë me sukses. “Suksesi do të vijë kur Iraku dhe Afganistani të jenë aleatë të fuqishëm dhe të aftë në luftën kundër terrorit. Burra dhe gra të Forcave Ajrore, këto suksese do të vijnë. Dhe kur të vijnë, vendi ynë do të ketë arritur fitore dhe populli amerikan do të jetë më i sigurtë.”

Fjalët e presidentit u shoqëruan me brohoritje nga kadetët e diplomuar. Por në valët e transmetimeve amerikane ato u shuan nga një ngjarje krejt ndryshe. Në prag të fjalimit të ish-zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, gazetarët kishin marrë kopje të librit të ri Skot Mekllellen, një njeri që për tre vjetë ishte fytyra dhe zëri i administratës.

Në kujtimet e tij, zoti Mekllellën, që konsiderohej si besnik i fuqishëm i zotit Bush, akuzon presidentin për një fushatë propagandistike për të shitur luftën në Irak tek publiku amerikan. Ai thotë se Shtëpia e Bardhë mori një vendim të ndërgjegjshëm për t’i kthyer shpinën sinqeritetit dhe ndershmërisë.

Këshilltarët e presidentit Bush e bënë të qartë se janë të habitur nga toni në libër. Sekretarja e shtypit Dana Perino tha se të gjithë ata që punuan me zotin Mekllellën më parë gjatë dhe pas largimit të tij janë të çuditur. Sipas fjalëve të saj: ky nuk është Skoti që njohim ne. //bsa//

XS
SM
MD
LG