Lidhje

Raporti i OKB-së: Ballkani është bërë një nga rajonet më të sigurta të Evropës


Ballkani është një nga rajonet më të sigurta të Evropës. Ky është përfundimi i një raport të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat the Krimet. Edhe vetë ky raport thotë se ky konluzioni është pak i papritur sepse ky rajon për një kohë të gjatë ka qenë i njohur si vend i trazirave dhe i një aktiviteti të lartë kriminal, krahasuar me rajonet e tjera të Evropës. Por organizata ka ardhur në këtë përfundim pas një studimi të shumëanshëm dhe krahasues.

Raporti i quajtur “Krimi dhe Ndikimi i tij në Rajonin e Ballkanit” u botua të enjten nga Zyra e Drogës dhe Krimit pranë OKB-së. Rajoni i Ballkanit thotë ky raport është më i sigurt se rajoni perendimor i Evropës.

Antonio Maria Costa, Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së OKB-së për Drogat dhe Krimin, thotë se cikli i kriminalitetit në rritje i shkaktuar nga trazirat politike që kishin mbërthyer rajonin e Ballkanit në vitet 1990, të cilat mundësuan lulëzimin e krimit të organizuar, tani është thyer. Por megjithëse rajoni ka shënuar një sukses të dukshëm në uljen e krimit dhe rritjen e sigurisë, raporti thekson se Ballkani ende ndeshet me probleme serioze.

Një nga problemet që shihet si burim i krimit dhe dhunës është lidhja e biznesit me politikën. Politika dhe biznesi, thuhet në raport, duhet të izolohen nga ndikimi i krimit dhe sidomos i krimit ekonomik.

Shqipëria dhe Kosova, thuhet në raport, kanë shënuar një sukses në uljen e krimit, ngjashëm me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria për shembull ka shënuar një rënie të theksuar të numrit të vrasjeve nga viti 1998 deri në vitin 2006. Por, një fushë ku Shqipëria ka ngecur, është dhuna ndaj grave, e cila sipas raportit është më e lartë se në vendet e rajonit.

Droga dhe trafiku i saj vazhdon të jetë një problem serioz. Bullgaria dhe Shqipëria, thuhet në raport, janë vende ku kultivohet dhe eksportohet kanabisi. Trafiku i heroinës është një ndër trafiqet më fitimprurëse dhe sipas disa studimeve të fundit, 70 përqind e heroinës që futet në disa nga rajonet kyçe të Evropës kontrollohet nga trafikantët shqiptarë.

Trafiku i heroinës nga shqiptarët aktualisht konsiderohet si një ndër problemet kryesore të krimit të organizuar në Evropë. Por raporti pranon se cilësimi i trafikantëve si shqiptarë është i vështirë dhe i bazuar më tepër në vlerësime se sa në fakte të qarta, sepse ky përfundim është arritur bazuar në numrin e atyre që janë arrestuar dhe numrin e rasteve kur është kapur droga gjatë trafikimit.

Në këto raste regjistrohet vetëm shtetësia e trafikantëve dhe jo përkatësia e tyre etnike. Në rastet kur trafikantët janë nga Maqedonia, apo pjesë tjera të ish Jugosllavisë, ata regjistrohen vetëm me përkatësinë shtetërore. Pra vlerësimi se 6 përqind të të arrestuarve në lidhje me trafikim droge janë shqiptarë është i bazuar në këtë lloj qasjeje të vlerësimit.

Megjithatë sipas raportit edhe trafiku i drogës nga shqiptarët në vitet e fundit ka shënuar rënie dhe kjo bazohet në numrin në rënie të atyre që janë arrestuar për këtë lloj trafiku. Trafiku i qënieve njerëzore, e sidomos i femrave, zë një vend veçantë në këtë raport.

Ndërsa Shqipëria dhe Moldovia në vitet 1990 ishin burim kryesor i këtij trafiku, këtë vend tani e zënë Rumania dhe Bullgaria. Për shembull 40 përqind e femrave të trafikuara në Itali gjatë viteve 1990 ishin shqiptare, në vitin 2003 ky numër ra në 15 përqind ndërsa në vitin 2004 u ul në vetëm 2 përqind. Arsyeja e kësaj rënieje, sipas raportit, nuk është e qartë, por aludohet se një ndikim mund të kenë pasur ndryshimet sociale dhe ndërhyrjet shtetërore.

Një ndër krimet i cili jo vetëm që nuk ka rënë, por ka shënuar rritje në rajon, është korrupsioni dhe krimet ekonomike. Raporti citon një raport të organizatës Transparency International, ku thuhet se Shqipëria zë vendin më të lartë për ryshfet nga 57 vendet e analizuara.

Mesatarja e vendeve të Evropës Juglindore është 4, 5 herë më i lartë se në vendet e Evropës Perëndimore. Kosova dhe çështja rreth statusit të saj, thuhet në raport, ka qenë burim i jostabilitetit në katër vende të Evropës Juglindore dhe si rezultat një raport i Bankës Botërore vë në listë Serbinë, Maqedoninë, Bosnjen dhe Shqipërinë, si vende që janë më pak të qëndrueshme se vendet e Afrikës nën-Sahariane.

Mbledhja e fondeve gjatë luftës në Kosovë ka përfshirë edhe trafikime të tjera dhe lidhjet ndërmjet krimit dhe politikës janë të paqarta në shumë fusha. Raporti vjen në përfundim se megjithë rënien e nivelit të krimit ordiner dhe rënies së aktivitetit të krimit të organizuar, ndarja e paqartë ndërmjet sferave të interesit ndërmjet politikës dhe ekonomisë me krimin vazhdon të jetë një çështje e trashëguar nga paqëndrueshmëria e mëparshme.

Hartuesit e raportit gjithashtu mendojnë se rritja e krimit të organizuar në Ballkan kishte qenë si rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së stabilitetit, por kjo situatë duket se po shënon ndryshime, gjë që shihet edhe në disa nga përfundimet e raportit. Ndërkohë që rajoni stabilizohet dhe sigurohet një shtet ligjor, mundësia dhe prirja për t’u marrë me aktivitete krimanale duhet të ulet, thekson raporti i OKB-së për Krimin dhe Drogat. //rd//

XS
SM
MD
LG