Lidhje

Forcohet mafia kalabreze


’Ndrageta, në rrjet krimi i organizuar në Itali, që sa vjen e forcohet, ka kryer një veprimtari të paligjshme me vlerë prej 69 miliardë dollarësh vetëm gjatë vitit 2007, bëjnë të ditur hetuesit italianë. Ekspertë të krimit pohojnë se kjo organizatë ia ka kaluar Mafias siçiliane duke u renditur si më i madh rrjet trafikant i drogës në Itali.

Ekspertë të krimit dhe hetues italianë theksojnë se rrjeti ’Ndrageta, me qendër në rajonin jugor të Kalabrisë, ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër dhe ka zgjeruar aktivitetin ndërkombëtar. Ata thonë se kjo organizatë ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë Evropën dhe përtej saj.

Një raport i fundit i grupit kërkimor italian, Eurispes, thotë se kjo organizatë është e përfshirë në aktivitete nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës dhe zhvatja e parave, në kontrabandën e armëve, prostitucionin dhe tani po angazhohet edhe në imigracionin e paligjshëm.

Eurispes shton në raportin e saj të fundit se vetëm vitin e kaluar ’Ndrageta, e cila do të thotë “Shoqëri Nderi” ka realizuar një aktivitet kriminal me vlerë 69 miliardë dollarë. Presidenti i grupit studimor Gian Maria Fara thotë se organizata kriminale po bëhet gjithnjë e më e fuqishme dhe po shtrihet jashtë vendit.

Zoti Fara thotë se ’Ndrageta është e pranishme dhe e fuqishme në Amerikën e Veriut, Kanada, Amerikën e Jugut dhe në Australi. Ajo vepron edhe në Evropën veriore dhe është shndërruar praktikisht në një konglomerat të vërtetë biznesi. Një nga karakteristikat e saj, sipas zotit Fara, është se penetrimi në këtë organizatë është tepër i vështirë, gjë që vështirëson marrjen e informacionit mbi mënyrën si operon ajo: "Është shumë e vështirë të gjesh individë nga ’Ndrageta, të cilët të shndërrohen në informatorë, thotë ai, pasi vetë natyra e kësaj organizate kriminale dhe mënyra se si tërheq anëtarë, e bën thuajse të pamundur që dikush nga radhët e saj të bëhet informator për shtetin. Struktura e saj është thuajse ekskluzivisht e bazuar në lidhjet familjare".

Prokurori anti-mafie në qytetin kalabrez të Cantanzaros, Mario Spagnuolo, thotë se imigracioni i paligjshëm po bëhet shumë me interes për ’Ndragetën. Ai thotë se kjo organizatë ka hyrë në ujdi me rrjete ndërkombëtare për t’u futur në këtë aktivitet. Prokurori thotë se krimi i organizuar i kësaj zone ka marrë nën kontroll trafikun e imigrantëve të paligjshëm, duke i detyruar këta imigrantë më pas në tregun e zi të punës dhe prostitucion.

Rafaele Rio, shefi i zyrës së grupit kërkimor Eurispes në Kalabri, thotë se ’Ndrageta po shndërrohet në një faktor me peshë në kontrabandën globale të drogës. Zoti Rio thotë se për të shfrytëzuar sa më me efikasitet burimet e saj dhe për të rritur fitimet, ’Ndrageta ka eliminuar ndërmjetësit dhe është lidhur direkt me kartelet e drogës në Amerikën Latine, veçanërisht me kolumbianët.

Vincenco Macri, prokuror antimafia me zyrë në Kalabri, thotë se trafiku i drogës i realizuar nga ’Ndrageta në vitin 2007 përbën thuajse 2 të tretat e të gjitha fitimeve të paligjshme të kësaj organizate dhe vazhdon të rritet. Studiuesi i grupit Eurispes, Rafaele Rio, thotë se organizata po bëhet gjithnjë e më e militarizuar. Në operacione të ndryshme të ndërmarra nga hetuesit, shpjegon zoti Rio, janë zbuluar sasi të mëdha armësh. Kjo, shton ai, është provë se është vënë në lëvizje një proces serioz militarizimi.

Hetuesit italianë kundër krimit kanë vite që theksojnë rrezikun që paraqet shtimi i influencës së ’Ndragetës, si në Itali edhe jashtë saj. Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Amerikan Mark Filip tha kohët e fundit se kjo organizatë është shndërruar në një problem serioz edhe për organet amerikane të ruatjes së rendit. //rd//

XS
SM
MD
LG