Lidhje

Peshkatarët në Spanjë, Portugali dhe Itali, protestë për çmimet e karburantit


Mijëra peshkatarë spanjollë, portugezë dhe italianë kanë filluar protesta, duke ndjekur shembullin e kolegëve të tyre francezë, që kanë zhvilluar protesta për rritjen e çmimeve të karburantit.

Në Madrid, peshkatarët u mblodhën jashtë Ministrisë së Mjedisit, Bujqësisë dhe Peshkimit, ku i dhanë kalimtarëve mbi 20 tonë peshk të freskët falas. Ministri i Ekonomisë, Pedro Solbes, më vonë u tha gazetarëve, se qeveria nuk mund t’i pakësojë takstat për karburantin, por po përpiqet të gjejë mënyra të reja për të ndihmuar peshkatarët.

Përfaqësues të sindikatave të peshkatarëve të Portugalisë thonë se gjendja në vend është thuajse e paralizuar. Kolegët e tyre italianë thonë se rreth 1 mijë e 200 protestues të tyre nuk do ta rifillojnë punën, pa u takuar me Ministrin e Bujqësisë, Luca Zaia. Sot, në Francë, peshkatarë kishin bllokuar rrugët për tek porti më i madh i vendit, Havër. Protestat vazhduan edhe në porte të tjera franceze në Atlantik dhe në Mesdhe. //rd//

XS
SM
MD
LG