Lidhje

Maqedoni: Incidente dhune gjatë një mitingu të BDI-së në Tetovë


Mbrëmë në Tetovë janë shënuar disa incidente të tjera. Ato ndodhën para dhe pas një mitingu që partia e Bashkimit Demokratik për Integrim zhvilloi në këtë qytet. Gjatë incidenteve u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, duke bërë që anëtarë të kryesisë dhe anëtarë të BDI-së të mbronin me trup kryetarin e kësaj partie, Ali Ahmeti, ndaj ndonjë atentati të mundshëm.

Kjo ndodhi në kohën kur zoti Ahmeti ishte duke mbajtur fjalimin e tij në këtë miting. BDI-ja ka bërë të ditur se shtatë simpatizantë të kësaj partie të jenë ndaluar dhe keqtrajtuar fizikisht nga njësi të policisë speciale. Sipas të dhënave të partisë, aktivistë të saj janë rrahur edhe nga aktivistë të partisë rivale, Partisë Demokratike Shqiptare, në dalje të fshatit Bogovinë të Tetovës, gjatë rrugës për të marrë pjesë në miting.

Dy aktivistë të BDI-së kanë përfunduar në spital dhe pas dhënies së ndihmës mjekësore, janë larguar për në shtëpi. Në një incident tjetër, policia speciale ka ndërhyrë pas informacioneve për rrahjen e një të riu maqedonas nga simpatizantë të BDI-së, duke ndaluar shtatë veta. Si kundërpërgjigje, qindra simpatizantë të kësaj partie shqiptare e bllokuan për më shumë se një orë daljen nga qyteti i Tetovës.

Ndërkohë njoftohet se gjendja në qytet është qetësuar dhe në ndihmë të policisë së atjeshme u dërguan përforcime. //iç//

XS
SM
MD
LG