Lidhje

Bajraktari: Shqiptarët duhet të vazhdojnë lobizmin ndaj Uashingtonit


Me intensifikimin e garës presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara, edhe shqiptarët e Amerikës përpiqen të thonë fjalën e tyre se cili kandidat për president duhet të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Kolegu ynë Ilir Ikonomi bisedoi në Nju Jork me biznesmenin Hajdar Bajraktari, i cili thotë se interesi i tij është në favor të një kandidati që do të ndihmonte shqiptarët në Ballkan por edhe do të ishte më i mirë për ekonominë amerikane.

Bronks, Nju Jork. Këtu ka zyrat një kompani e suksesshme shqiptaro-amerikane, Bajraktari Management Corporation. Pronë e saj janë dhjetra ndërtesa banimi të shpërndara në të gjithë Nju Jorkun. Pronari është Hajdar Bajraktari, shqiptar nga Kosova dhe aktiv në fushatat politike në Shtetet e Bashkuara.

Në të kaluarën, ashtu si edhe shqiptarë të tjerë, Zoti Bajraktari nuk i ka kursyer energjitë dhe paratë për të mbështetur ish Presidentin Clinton. "Komuniteti ynë ka përkrahur Bill Klintonin në vitin 1992. Përpara se të zgjidhej president e kemi takuar në Arkansa unë me disa shokë të mij, kemi pasur biseda me të dhe jemi prononcuar për ta ndimuar atë. Kanë qenë vëllezërit Bytyqi, Rustem Gecaj, Xhim Xhema e shumë të tjerë në atë kohë."

Sot, natyrshëm, mbështetja e tij është për demokraten Hillary Clinton. Sepse, thotë Zoti Bajraktari, shqiptarët i kanë asaj një borxh. "Pozicionimi ynë, e një pjese të komunitetit tonë sot është me zonjën Hillari Klinton sepse mendonim se ajo do të zgjidhej Presidente e Amerikës. Ka qenë dicka fenomenale për ne fakti që ata janë të lidhur me Kosovën dhe me shqiptarët. Komuniteti ynë ka një miqësi me familjen Klinton. Një pjesë e komunitetit tonë po përkrahin edhe zotin Mekein, një pjesë e vogël kanë përkrahur edhe zotin Obama. Por një energji e madhe, me disa shokë të mij është shpenzuar për zonjën Hillari Klinton. Asaj ja kemi edhe borxh, Unë për vete e ndjej se po laj një borxh, po përpiqem për miqtë tanë, miq të cilët na kanë ndihmuar kur ne kishim nevojë. Edhe nëse ajo nuk fiton, për ne është një nder që përkrahim një mike shumë të afërt të komunitetit tonë. "

Tani që shanset e zonjës Clinton për të fituar emërimin janë venitur, Zoti Bajraktari shpreson që ajo të paktën të bëhet nënpresidente. Ai thotë se ende nuk e di se cilin kandidat do të mbështesë nëse zonja Clinton e humbet emërimin. "Këtë do ta shikojmë në 2-3 muajt e ardhshëm. Mendoj se zoti Mekein për cështjen shqiptare është shumë më i mirë se Obama. Mund të jem gabim por flas për atë që dihet tash. Nuk e di se si mund të ndryshojnë gjërat më vonë."

Komuniteti shqiptar ka marrë pjesë në fushata me para dhe mbështetje edhe për figura të tjëra politike amerikane, sidomos për disa senatorë dhe kongresmenë. Zoti Bajraktari thotë se kur kontribuon për fushatat e politikanëve amerikanë, ai përpiqet të arrijë disa pikësynime. "Unë kam dy interesa. Interesi im është se si të ndihmohen shqiptarët në Ballkan, si ta ndihmojmë Shqipërinë e cila do të hyjë në NATO dhe do të jetë pjesë e Evropës në të ardhmen, ekonomikisht, politikisht; si të ndihmojmë Kosovën dhe ekonominë e saj, e cila gjithashtu do të jetë nesër pjesë e Evropës; si t'i ndihmojmë shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Kjo është pika e parë për mua. Janë shumë aspekte ku ata mund të ndihmojnë, si me ndihmën për jashtë, me garantimin e kredive apo politikisht. E dyta, unë jam amerikan dhe jetoj në Amerikë, prandaj do të shikoj se si do ta ndreqin ata ekonominë e Amerikës".

Hajdar Bajraktari parashikon një të ardhme plot shpresë për Kosovën. Siguria dhe qendrueshmëria që ai shikon në Kosovë e kanë bërë të mos ngurrojë për të investuar atje. Një fabrikë vere në Rahovec dhe nje fabrikë e përpunimit të drurit në Pejë janë krenaria e tij. Nëse ka ndonjë këshillë për politikanët në Kosovë, ai thotë se ata duhet të bëjnë më shumë lobizëm në drejtim të Uashingtonit për problemet e tyre. "Lobizmi bëhet shtatë ditë në javë, 24 orë në ditë. Eshtë njëlloj sikur të mbash zjarrin e furrës të ndezur. Koha nuk pret, ajo është shumë e shkurtër. Në Amerikë, vitin e ardhshëm në këtë kohë do të jetë qeveria e re. Duhet të shfrytëzojmë këtë qeveri që është tani dhe të bëjmë çmos. Presidenti Bush ka qenë fenomenal këto dy vitet e fundit, me njohjen e Kosovës dhe me vizitën në Shqipëri. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë energji të Xhorxh Bushit sivjet sepse vitin tjetër nuk do ta kemi aty. Vitin tjetër do të jetë Obama dhe do të duhen tre vjet deri sa të mund të flasim me të". //rd//

XS
SM
MD
LG