Lidhje

SHBA: Partia Demokrate diskuton rreth votave të skualifikuara në Florida dhe Miçigan


Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë të Partisë Demokrate janë mbledhur këtu në Uashington në përpjekje për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me rezultatin e zgjedhjeve paraprake të zhvilluara në shtetet Florida dhe Miçigan, zgjedhje këto që mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kandidatit të kësaj partie për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Partia Demokrate skualifikoi rezultat e zgjedhjeve pasi këto dy shtete nuk përfillën rregullat e partisë, duke mbajtur zgjedhjet e tyre paraprake para afatit të parashikuar.

Një komision me 30 anëtarë të Partisë Demokrate, me përkrahës të dy senatorëve kandidatë, do të vendosin nëse do të njohin rezultatin e zgjedhjeve në Florida dhe Miçigan, dhe në se bien dakord për këtë, si do t’i ndajnë delegatët.

Për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje në Florida, një përfaqësues i senatorit Barak Obama tha se fushata e tij mbështet një propozim për të njohur të gjithë delegatët në kuvendin e partisë, por për t’u dhënë atyre gjysëm vote.

Senatorja Klinton, e cila është mbrapa senatorit Barak Obama për sa i përket mbështetjes së delegatëve, fitoi ndjeshëm zgjedhjet në Florida dhe Miçigan, dhe kërkon që të njihet rezultati. Të dy kandidatët ranë dakord të mos bënin fushatë në këto shtete, madje emri i senatorit Obama nuk ishte fare në fletat e votimit në Miçigan.

Florida dhe Miçigani konsiderohen shtete të rëndësishme për të fituar në zgjedhjet e përgjthshme të nëntorit kundër kandidatit republikan, Xhon Mekein. (ze)

XS
SM
MD
LG