Lidhje

Roli i racës në politikën amerikane


Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976, votuesit afrikano-amerikanë luajtën një rol kyç në zgjedhjen e ish guvernatorit të Xhorxhias, Xhimi Kartër. Ai ishte rritur në shtetin jugor në një komunitet me shumicë afrikano-amerikane. Sot, i përfshirë në një gamë të gjerë veprmitarish humanitare dhe politike, zoti Kartër vazhdon të ruajë lidhje të forta personale dhe politike me atë komunitet.

Para disa dekadash, kur Xhimi Kartër ishte në vitet e fëmijërisë, duke u rritur në qytetin e vogël Pleins në shtetin Xhorxhia, prindërit e tij përparimtarë e inkurajonin të shoqërohej me të gjithë fqinjët, jo vetëm me të bardhët.

“Unë isha i zhytur që në fëmijëri në një komunitet afrikano-amerikanësh".

Duke shkruar për ato vite në librin e tij “Një orë para agimit” ish-presidenti Kartër përshkruan lidhjet e tij me pesë njerëzit që kanë ndikuar më shumë në jetën e tij.

“Ndër ata pesë, vetëm dy janë të bardhë. Tre të tjerët ishin afrikano-amerikanë, të cilët me të vërtetë ndikuan në krijimin e karakterit tim, mënyrën si mendoj dhe si i trajtoj vlerat morale dhe fetare. Unë jam produkt i aspekteve më të mira të kulturës afrikano-amerikane dhe jam krenar për këtë”.

Por qëndrimi tolerant në lidhje me racën i Xhimi Karterit nuk ishte karakteristikë e realitetit politik në atë kohë. Raca përdorej nganjëherë nga politikanët si çështje ndarëse. Në vitin 1976, 12 vjet pasi kongresi miratoi ligjin e të drejtave civile, Xhimi Kartër, i cili në atë kohë ishte kandidat për president u ndesh me guvernatorin e Alabamës Xhorxh Uollas. Ky jugor, i cili kishte një histori armiqësish racore, e mundi zotin Kartër në disa zgjedhje paraprake, megjithatë guvernatori i Xhorxhias më në fund fitoi emërimin e partisë së tij si edhe postin e presidentit.

Po a e shqetëson zotin Kartër fushata e tanishme dhe mënyra se si po përdoret raca në këtë garë?

“Po. Dhe mendoj se ka ende shumë racizëm në arenën politike amerikane. Dhe kjo më shqetëson”.

Gjatë fushatës për zgjedhjet paraprake këtë vit ka pasur njoftime se fushata presidenciale e senatorit Barak Obama është vënë në shenjestër të disa incidenteve të izoluara raciste.

Presidenti Kartër thotë se shpreson që këto të jenë incidente të veçanta dhe jo të zakonshme.

“Shpresoj që ky vit zgjedhjesh t’i japë fund çështjes së racës. Nëna ime do të gëzohej po të shihte një afrikano-amerikan dhe një grua me mundësitë për t’u zgjedhur president. Ky do të ishte një përparim i rëndësishëm për të dhe asaj do t’i pëlqente”.

Nëse Barak Obama fiton emërimin e partisës së tij si kandidat presidencial për në zgjedhjet e nëntorit dhe fiton ndaj kandidatit republikan, Xhon Mekejn, senatori nga Illioni do të hynte në histori si afrikano-amerikani i parë që zgjidhet president.

Megjithëse presidenti Kartër nuk ka mbështetur ende asnjërin nga kandidatët, ai ka vënë në dukje me shaka se anëtarët e familjes së tij mbështesin senatorin Obama për emërimin e partisë dhe jo rivalen e tij senatoren Hillari Klinton.

Kur të shpallë publikisht mbështetjen për kandidatin presidencial, një nga faktorët vendimtarë për Xhimi Kartërin do të jetë se si i shohin kandidatët çështjet racore. Kjo është diçka që ka ndikuar në personalitetin e tij si i ri në qytetin e vogël Pleins, si dhe më vonë në jetë, në qytetin e madh të Uashingtonit. (ze)

XS
SM
MD
LG