Lidhje

Muzika e së Djelës: Gavin DeGraw dhe Justin Timberlake


Justin Timberlake thuhet se është një prej njerëzve më të suksesshëm dhe më të kompletuar të biznesit muzikor. Bashkëpunimi i tij më i fundit është ai me Madonën, në këngën e saj ”4 Minuta”. Ndërkohë një tjetër emër i ri i muzikës amerikane, po renditet me mjaft sukses krahas emrave më të njohur të muzikës bashkëkohore.

Kur suksesi troket për herë të dytë, emri i personazhit të suksesshëm, fiksohet drejt dhe pa gabime. Kjo do të thotë se askush nuk mund të ngatërrojë më mbiemrin e këngëtarit Gavin DeGraw, me McGraw. Sepse tashmë DeGraw kapi numrin më të madh të shkarkimeve nëpër i-podë, javën e kaluar, duke iu afruar ndjeshëm këngëtarëve të njohur si Coldplay apo Madonna. “Jam i befasuar që jam renditur krahas emrave të mëdhenj të muzikës. Nuk e mendoja” thotë deGraw për suksesin e tij. 31 vjeçari DeGraw, i shkruan vetë këngët e tij dhe gjithashtu ai interpreton në disa instrumenta.

Albumi tij i parë ishte “Chariot” dhe u hodh në treg në vitin 2003. Por suksesi i këtij albumi ishte i ngadaltë, dhe vetëm mbas dy vitesh një prej këngëve të tij, u klasifikua në 10 këngët më të mira. Djali i një gardiani burgu dhe i një specialisteje të antihelmeve, i lindur në qytetin e vogël të Fallsburgut Jugor në New York, ai thotë se një prej gjërave që e ka ndihumuar më shumë është se nuk ka njohur njeri në biznesin muzikor. Karriera e tij nisi duke kënduar nëpër klube të vogla dhe lokale të panjohura, por skena tashmë është kthyer në një shtëpi të dytë për të.

Megjithatë DeGraw, nuk harron se nga ka ardhur, dhe thotë se nuk ka arritur majat në punën e tij. “Nuk kam arritur majat në profesioni tim, ende kam shumë për të bërë. Dhe unë nuk dua që të jem si ato personazhet që e rrezatojnë imazhin e tyre gjithandej”, thotë DeGraw.

Justin Randal Timberlake, është një prej emrave më të njohur të biznesit muzikor për momentin. Bashkëpunimi i tij i fundit me Madonën, e ka klasifikuar atë si një prej artistëve më të kompletuar të momentit. Ai e ka nisur karrierën e tij, si anëtar i grupit muzikor ‘N Sync. Gjatë karrierës së tij të mëtejshme si artist solist, ai është nderuar me 6 çmime Grammy si dhe një çmim Emmy.

Albumi i tij i fundit Future Sex/Love Sounds, i realizuar në vitin 2007, pati një sukses të madh, sidomos mbas promovimit të tij në një tur të gjatë që përfshiu Australinë, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Një tjetër aspekt i karrierës së tij, është dhe pjesmarrja në filma. Ai është një prej personazheve në komedinë “The Love Guru”, si dhe ka një rol në filmin dramatik “The Open Road.”

XS
SM
MD
LG