Lidhje

Partia Demokratike arrin kompromis për delegatët e Floridës dhe Miçiganit


Udhëheqësit e Partisë Demokratike arritën në një kompromis me të cilin shpresojnë të zgjidhin një mosmarrëveshje rreth zgjedhjeve paraprake presidenciale në shtetet e Floridës dhe të Miçiganit. Por jo të gjithë drejtuesit e partisë e pranuan planin.

Zyrtarët e Partisë Demokratike ranë dakord të lejojnë që delegatët nga Florida dhe Miçigani të zënë vendet e tyre në kuvendin e partisë, por me nga gjysëm vote secili.

Marrëveshja bën që senatorit Barak Obama, pa marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve paraprake të mbetura që do të zhvillohen nga sot deri të martën, t’i duhen vetëm 66 delegatë për të fituar emërimin e partisë si kandidat për president.

Kompromisi i arritur u shoqërua me reagime të ashpra nga mbështetësit e senatores Hillari Klinton, këshilltari i së cilës, Harold Ajks, tha se shtabi i saj elektoral do të paraqiste për zgjidhje këtë problem në kuvendin e partisë Demokratike që do të zhvillohet në qytetin e Denverit në shtetin e Kolorados në muajin gusht.

Kompromisi u arrit pas një dite të gjatë me shumë diskutime të Komisionit të Regullores dhe Ligjeve të partisë, që u transmetua në televizion në shkallë kombëtare nga një hotel në Uashington.

Si Florida ashtu dhe Miçigani, me zhvillimin e zgjedhjeve të tyre paraprake më herët nga sa u lejohej, shkelën regullat e partisë. Partia i quajti të pavlefshme rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Zonja Klinton i fitoi me lehtësi zgjedhjet në të dy shtetet, por të dy kandidatët kishin rënë dakord të mos zhvillonin fushatë atje dhe emri i zoti Obama nuk ishte në listat e zgjedhjeve në Miçigan.

Superdelegatja e Partisë Demokratike, Alis Hofman, e cila mbështet senatoren Klinton, tha se ajo do të preferonte që secili delegat të kishte të drejtën për votë të plotë, por ajo e pranon kompromisin.

“Bota nuk është perfekte, por është e mirë. Kur mund të vish këtu dhe të largohesh duke qenë i bashkuar, kjo është ajo që ka nevojë partia”.

Mbështetës i zonjës Klinton, Harold Ajks, tha se ka dyshime që ky kompromis do të forcojë partinë.

“Është folur shumë për unitetin e partisë. Le të përqafojmë njeri-tjetrin. Zonja dhe zotërinj, unë po them para jush se rrëmbimi i katër delegatëve, pa lënë mënjanë parregullsitë, nuk është mënyrë e mirë për arritjen e unitetit të partisë”.

Më parë, Kryetari i Partisë Demokratike, Hauard Din, tha se qëllimi kryesor është që të sigurohemi se partia është e bashkuar përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithëshme presidenciale kundër senatorit Xhon Mekein, që mendohet të fitojë emërimin e Partisë Republikane.

“Kjo nuk ka të bëjë me kandidatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë me Barak Obamën apo Hillari Klintonin. Kjo ka të bëjë me vendin tonë, ka të bëjë me rikthimin e Amerikës në kohët e saj më të mira, rikthimin e autoritetit tonë moral dhe shërimin e Amerikës”.

Zgjedhjet e fundit paraprake do të zhvillohen sot në Porto Riko dhe të martën në shtetet e Dakotës së Jugut dhe të Montanës.

Senatori Obama ka në plan të sinjalizojë të martën në një miting në stadiumin e Shën Polit në shtetin e Minesotës, fillimin e fushatës së tij të përgjithëshme, ku Partia Republikane do të zhvillojë kuvendin e saj. //iç//

XS
SM
MD
LG