Lidhje

Preferencat e shqiptaro-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale


2008-a është një vit i rëndësishëm zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara. Cilat janë preferencat e shqiptaro-amerikanëve në këto zgjedhje? Kolegu ynë Ilir Ikonomi ndodhet në Nju Jork ku bisedoi me ish anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve të kongresit amerikan Xhozef Dioguardi dhe përgatiti këtë reportazh.

Nga shtëpia e tij në Osining, shpaloset pamja madhështore e lumit të gjerë Hudson. Ish kongresmenin energjik të Nju Jorkut, Joseph DioGuardi e gjen vazhdimisht duke folur në telefon. Bashkëbiseduesit janë më së shumti personalitete të rangjeve të ndryshme, nga politikanët lokalë e deri te anëtarë të Kongresit amerikan.

Brenda në shtëpi, një mjedis i veçantë i kushtohet aktivitetit të tij politik. Ish kongresmeni ka kujtime me të gjithë presidentët amerikanë të 2-3 dekadave të fundit, nga Ronald Regani e deri te Xhorxh ë. Bushi. Sonte, zoti DioGuardi shkon për të ndihmuar një mikun e tij republikan, Greg Ball, i cili përpiqet të zgjidhet anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jorkut. Si njëri prej sponsorizuesve të këtij aktiviteti, zoti DioGuardi ka ftuar aty edhe një grup të rinjsh, studentë shqiptarë që banojnë në zonën veriore të shtetit Nju Jork.

"I kam ftuar që ata të mësojnë se si funksionon procesi politik në Amerikë. Për të shkuar deri te zgjedhjet presidenciale, fillohet këtu, me zgjedhjet lokale. Eshtë me rëndësi që të rinjtë të përgatiten sepse për fat të keq, thotë zoti DioGuardi, sot për sot, në Kongresin amerikan nuk ka asnjë shqiptar".

Në aktivitet marrin pjesë rreth 200 të ftuar. Republikanët në Amerikë ndodhen këtë vit zgjedhjesh para një sfide të madhe. Përmes aktiviteteve si ky, ata do të përpiqen të bindin elektoratin se kandidati republikan Xhon Mekein është njeriu i duhur për në Shtëpinë e Bardhë.

"Unë kam qenë me senatorin Xhon Mekein qysh në fillim. Mos harroni, kam qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe ai po ashtu. Ne i thërrasim njëri-tjetrit me emër. Ai është për ne një mik i mirë. Ne nuk votojmë për zotin Mekein thjesht sepse ai i do shqiptarët. Ai është një hero amerikan, ka qenë rob lufte në Vietnam për 6 vjet. Nuk është nga ata që punon vetëm për partinë e tij. Në disa cështje, ai ka dalë edhe kundër republikanëve. Ai nuk kërkon rritje taksash por përpiqet për një ekonomi konkurruese në botë. Ai ka thënë se preferon më mirë të humbasë presidencën se sa të humbasë luftën në Irak. Unë jam dakord me të dhe mendoj se edhe shumë shqiptarë janë dakord"..

Zoti DioGuardi thotë se nëse President zgjidhet senatori Barak Obama, ai do t'i kuptojë dhe mbështesë çështjet e shqiptarëve.

"Ne nuk kemi patur kohë ta përgatisim atë dhe ai nuk ka qenë aty kur ne kishim nevojë për të për problemet me Milloshevicin sepse ai është një senator i ri. Por si afrikano-amerikan, zoti Obama e di se cfarë është shtypja dhe jam i sigurt se pasi t'i njohë cështjet e shqiptarëve edhe ai do t'i mbështesë ato" .

Zoti DioGuardi ka mobilizuar edhe biznesmenë shqiptarë që të kontribuojnë me para për këtë aktivitet të republikanëve. Zoti DioGuardi është ftuar të flasë edhe në një aktivitet tjetër.

Në distriktin Rokland, republikanët e zonës votojnë për drejtuesit e tyre të rinj. Ish kongresmeni shpjegon se përse sipas tij, do të ishte mirë për Amerikën nëse senatori Mccain zgjidhet president. Jemi në një vit të rëndësishëm zgjedhjesh dhe atmosfera e tyre ndihet kudo. //rd//

XS
SM
MD
LG