Lidhje

Prishtina dënon incidentet në Maqedoni


Incidentet e dhunshme të së dielës në Maqedoni, janë dënuar ashpër nga autoritetet në Kosovë. Udhëheqës politikë në Prishtinë thanë se zgjedhjet e djeshme parlamentare në Maqedoni kanë dëshmuar se shteti fqinjë ka probleme serioze me parimet themelore të demokracisë dhe të vendosjes së një rendi demokratik. Ata nuk mohuan mundësinë që incidentet e djeshme të pasqyrohen edhe në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, megjithatë, sipas tyre Kosova ka rrugën e vet drejt shtetësisë së saj.

“Fati i njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nuk varet nga ata që nuk janë në gjendje të garantojnë zgjedhje të litra dhe demokratike në vendin e tyre”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniq.

Lutfi Haziri, deputet nga radhët e Lidhjes demokratike të Kosovës thotë ndërkaq se është në interes të Kosovës por edhe në interes të rajonit të ketë proces paqësor në një Maqedoni paqësore me proces zgjedhor të pranuar ndërkombëtarisht.

“Ne besojmë se incidentet nuk dëmtojnë procesin zgjedhor që ka kaluar atje”, tha zoti Haziri.

Për përfaqësuesit e partitive politike në Kosovë pasojat e incidenteve të djeshme në Maqedoni do të ndihen edhe në Kosovë qoftë në vonesën e njohjes nga fqinji i saj i parë, Maqedonia, por edhe për proceset politike të gjithë rajonit.

Gjithsesi këto veprime do të ndikojnë dukshëm në raport me pretendimet e Maqedonisë për integrim në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe gjithsesi paraqet një njollë të zezë jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet në Maqedoni por për gjithë rajonin”, tha Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e re.

Udhëheqësit politikë në Kosovë tërheqin vërejtjen se incidentet e djeshme në Shkup, Tetovë e Gostivar nuk u përkasin vetëm partive politike shqiptare, por se ato venë në pah problemet që ka Maqedonia për zbatimin e parimeve themelore të demokracisë.

Kjo që ka ndodhur dje, e që nuk është rasti i vetëm, është një sinjal që duhet ta kuptoj klasa politike në Maqedoni, qoftë klasa politike maqedonase po ashtu edhe klasa politike shqiptare, se nuk mund të shkohet drejt integrimeve rajonale dhe drejt integrimeve në Bashkimin Evropian me një demokraci të tillë thellësisht dhe substancialisht të brishtë”, tha Bajram Kosumi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Dardanisë thotë ndërkaq se për instalimin e demokracisë së mirëfilltë duhet të mendojnë të gjitha komunitetet në Maqedoni.

“Nuk është tashmë koha që t’i hedhet faji vetëm një komuniteti të caktuar për të marrë dominim vetëm ai komunitet. Brenda një shteti të gjithë janë përgjegjës dhe të gjithë duhet të punojnë që të ketë demokraci të mirëfilltë”, tha zonja Gazherri.

Autoritetet në Kosovë vlerësojnë se zhvillimet e fundit në Maqedoni do të kenë ndikim në integrimin e këtij shteti në Bashkimin Evropian. Ata nuk përjashtojnë mundësinë ndërkaq që zhvillimet në Maqedoni të kenë ndikim edhe në integrimin e gjithë rajonit në strukturat euro - atlantike.

XS
SM
MD
LG