Lidhje

60 vjetori i operacionit për të shmangur katastrofën humanitare në Berlin


Qershori shënon 60 vjetorin e fillimit të hedhjes nga ajri të ndihmave në Berlin, një operacion masiv 11 mujor i Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës për të thyer bllokadën e Bashkimit Sovjetik për kryeqytetin e ish Gjermanisë naziste. Duke çuar ushqime, qymyr guri dhe mallra e artikuj të tjerë të nevojshëm për mbi dy milionë banorët e Berlinit, operacioni ndihmoi për të shmangur katastrofën humanitare dhe mbajti të gjalla shpresat e popullatës në një qytet pothuajse krejtësisht të shkatërruar nga bombardimet e Aleatëve.

Në maj të vitit 1945, kur Berlini ishte shkatërruar, Gjermania naziste iu dorrëzua pa kushte forcave aleate. Fitimtarët që pushtuan qytetin, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Franca, e ndanë Gjermaninë në katër zona. Po këto fuqi ndanë në katër pjesë edhe Berlinin, që ishte në zonën e pushtuar nga sovjetikët.

Secili nga aletatë ishte përgjegjës për administrimin e zonës së tij të Berlinit. Por duke patur parasysh gjendjen e qytetit menjëherë pas luftës, kjo nuk ishte e lehtë, thotë Andrei Cherny, autor i librit “The Candy Bombers: The Untold Story of the Berlin Airlift and America's Finest Hour”, “Bombarduesit që sollën karamele: Historia e pashkruar e operacionit të ndihmave në Berlin dhe ora vendimtare e Amerikës”.

“Ai ishte një qytet që jetonte me minimumin e artikujve të nevojshëm dhe sipas Kombeve të Bashkuara, nën nivelin e atyre që duheshin për të parandaluar urinë. Vetëm një e katërta e banesave të qytetit konsideroheshin të banueshme. Tufa ujqërish endeshin nëpër rrugë...”.

Aleatët filluan të dërgonin ngarkesa me ushqime, qymyr guri dhe mallra e artikuj të tjerë në Berlin me kamionë, trena dhe anije transporti. Megjithatë, uria dhe krimi ishin të zakonëshme dhe demokracitë perëndimore dukej se po humbisnin luftën ideologjike me komunistët.

Më 25 qershor 1948, duke cituar vështirësitë teknike, sovjetikët mbyllën të gjitha rrugët, hekurudhat dhe lumenjtë që çonin nga Perëndimi në Berlin. Andre Cherny thotë se Aleatët e panë se ishin krijuar kushtet për një konflikt të armatosur me forcat sovjetike, por e dinin se kishin opcione të tjera për t’iu përgjegjur bllokadës së Berlinit.

“U vendos që të dërgoheshin me aeroplan sasi të vogla ushqimi në Berlin. Ne kishim një numër të kufizuar aeroplanësh, secili me kapacitetin e një autobuzi shkolle”.

Por brenda disa muajsh situata ndryshoi ndjeshëm. Aleatët arritën t’i shtonin ngarkesat nga rreth 90 ton në ditë që ishte në fillim të operacionit ajror në 5 mijë ton në ditë. Atëhere, Helga Johnson ishte një berlineze 12-vjeçare.

“Pa pritur ne patëm ushqim në shkollë. Ishte i shijshëm. Dhe papritur ne kishim qymyr guri dhe shtëpitë mund të ngroheshin paksa. Unë e falenderoja nga zemra këtë akt të një ish armikut tonë”.

Megjithatë, shumë nga aviatorët e Aleatëve që çuan ndihma në Berlin ishin ende të zëmëruar me popullin gjerman. Por e gjithë kjo ndjenjë ndryshoi për aviatorin amerikan Gail Halvorsen, kur ai takoi për herë të parë punëtorët gjermanë që hipën në aeroplanin e tij në aeroportin Templehof të Berlinit për të shkarkuar ushqimet.

“Ata nuk hezituan t’i afroheshin kabinës dhe të shprehnin mirënjohjen e tyre të thellë. Ata e shikonin miellin dhe ne si të ishim engjëj nga parajsa. Mirënjohja! Kur dikush të është mirënjohës, të detyron të bësh diçka për të. Dhe ata ishin mirënjohës. Ai kontakt personal varrosi çdo ndjenjë armiqëse që unë kisha patur”.

Por ajo që i la më shumë mbresë aviatorit Halvorsen ishte biseda që pati me disa fëmijë gjermanë më 17 korrik, të cilët kishin shkuar në aeroport për të parë aeroplanët që zbrisnin dhe pastaj shkarkoheshin. Asnjë prej tyre nuk i kërkoi atij karamele apo para si në vende të tjera, kujton Halvorsen.

Pasi një nga fëmijët që flisnin më shumë i u drejtua atij me këto fjalë: “Ne mund të jetojmë me racione, por nëse humbasim lrinë, nuk do ta fitojmë kurrë më atë”, Halvorsen vendosi t’i jepte fëmijës që përkthente dy peta çamçakiz. Shumica e tyre kishin lindur gjatë luftës, thotë Halvorsen, dhe nuk ishin trajtuar kurrë kështu.

“Thashë me vete ‘shpresoj që të mos zihen’. Ata nuk u zunë. Fëmijët e tjerë që nuk morën çamçakiz kërkuan nga një copë nga ambalazhi për t’i marrë erë, deri sa iu hapën sytë. Kjo më la mbresë të thellë. Dhe atëhere vendosa të bëja më shumë për ta”.

Halvorsen u premtoi fëmijëve se do t’u sillte më shumë çamçakiz dhe karamele e biskota ditën tjetër. Ai dhe shokët e tij filluan të hishin për ditë karamele të mbështjella me parashutë. Numri i fëmijëve u shtua. Por hedhja e karameleve ishte e ndaluar dhe Halvorson pati probleme serioze kur u përhap fjala për këtë aktivitet. Por kur lajmi për bombarduesit që hidhnin karamele u përhap në Shtetet e Bashkuara, mijëra fëmijë amerikanë filluan t’u dërgonin karamele fëmijëve gjermanë dhe fabrikat amerikane të sheqerkave filluan të dhuronin embëlsira.

Ndoshta si rezultat i operacionit ajror të Aleatëve, sovjetikët i dhanë fund bllokadës së Berlinit në maj të vitit 1949, 11 muaj pas fillimit të saj. Por suksesi i këtij operacioni nuk ishte thjesht furnizimi me ushqime, karburant apo 18 tonët e ëmbëlsirave të mbështjella që bombarduesit hodhën me parashutë. Siç i tha një 60 vjeçar Halvorsen-it, i cili kur ishte fëmijë kishte marrë një çokollatë, “me rëndësi ishte se populli amerikan e dinte se ne ishim në vështirësi dhe dikush u preokupua për ne”. //iç//

XS
SM
MD
LG