Lidhje

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për zgjedhjet

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për zgjedhjet dhe ia kaloi atë për debat parlamentit të Kosovës. Në këtë projektligj Kosova mbetet me një zonë të vetme zgjedhore. Sistemi zgjedhor mbetet proporcional me lista të hapura, ndërsa zgjedhësit do të votojnë për partinë politike dhe pesë kandidatë të atij subjekti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Ramë Manaj tha se projektligji është në pajtim me parimet e Kushtetutës së Kosovës.

“Projektligji përmban 20 kapituj, 129 nene dhe plotëson të gjitha standardet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë”, tha zoti Manaj.

Por, projektligji për zgjedhjet, i cili u përket projektligjeve që dalin nga propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Maarti Ahtisaari, kundërshtohet nga partitë opozitare. Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, projektligjin e quan të papranueshëm sepse, siç thotë ai, në procesin e hartimit të tij përveç subjekteve politike të përfaqësuara në Parlament do të duhej të përfshiheshin edhe partitë e vogla e madje edhe shoqëria civile.

"Në radhë të parë ne kemi kërkuar që Kosova të ndahet në disa zona zgjedhore, numri i të cilave do të arrihej në pajtim mes subjekteve politike. Së dyti, po ashtu pajtimi i fundit që liderët e subjekteve politike të marrin drejtpërdrejtët votën e partisë dhe të mos hyjnë në garë të drejtpërdrejtë, është një veprim që nuk besoj se njeh praktika ndërkombëtare e zgjedhjeve, madje një veprim të tillë nuk e besoj se e kanë ndërmarrë edhe vendet moniste që kanë ekzistuar në të kaluarën. Me të vërtetë, jo vetëm që është një përpjekje, por përfundimisht, është një akt me të cilin po ngulfatet demokracia, në radhë të parë brenda subjekteve politike, e po ashtu po ngulfatet demokracia në përgjithësi. Me këto veprime, ne subjektet politike po i dërgojmë në drejtim të privatizimit të tyre, pronësinë mbi të cilin nuk e kanë më anëtarësia por liderët e partive”, tha zoti Makolli.

Bajram Kosumi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kundërshton projektligjin e miratuar nga qeveria. Sipas tij, përveç udhëheqësve të partive politike të përfaqësuara në Parlament, deputetet tjerë nuk janë të kënaqur me projektligjin. //rd//

XS
SM
MD
LG