Lidhje

SHBA: Beteja presidenciale brenda Partisë Demokrate hyn në fazën përfundimtare


Beteja brenda Partisë Demokrate për emërimin presidencial hyn sot në raundin e fundit me votimet që po zhvillohen në shtetet Dakota e Jugut dhe Montana. Senatorët Barak Obama dhe Hillari Klinton po përpiqen për fitore në secilin nga këta shtete. Zoti Obama vazhdon të jetë në krye përsa i përket numrit të delegatëve dhe udhëheqësit e partisë demokrate po u bëjnë thirrje superdelegatëve që të deklarohen për këtë ose atë kandidat.

Gara e gjatë për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokrate përfundon sot në Dakotën e Jugut dhe në Montana. Senatorja Hillari Klinton deklaroi se do të qendrojë në garë.

"Te Quiero Puerto Rico !" - Ajo e shpalli dashurinë e saj për Porto Rikon pas një fitoreje të thellë ndaj Senatorit Barak Obama të dielën, në zgjedhjet paraprake të këtij territori amerikan.

Zonja Klinton thotë se sipas llogaritjeve të saj, ajo ka shumicën e votës popullore.

"Së bashku ne kemi fituar shtetet e rëndësishme Pensilvani, Ohajo, Arkansa, Virxhinia Perëndimore, Nju Hempshër, Nju Xhersi, Nju Meksiko, Nevada dhe natyrisht edhe Miçigan dhe Florida."

Por përfaqësuesit e Partisë Demokrate vendosën gjatë fundjavës që delegacionet e Miçiganit dhe Floridës të marrin vetëm gjysmën e numrit të votave. Të dy shtetet, i mbajtën zgjedhjet më herët se planifikimi, në kundërshtim me rregulloret e partisë. Zonja Klinton kishte kërkuar më shumë delegatë dhe tani ajo po përdor një argument tjetër, sipas strategut të Partisë Demokrate, Michael Feldman:

"Ajo po përpiqet shumë për ta rritur shifrën e votës popullore në mënyrë që, në fund të fushatës, të dalë me argumentin se ka marrë mpë shumë vota se sa senatori Obama."

Por Senatori Obama kryeson përsa i përket numrit të delegatëve. Pas zgjedhjeve të sotme, demokratët presin që ai të marrë mbështetjen e superdelegatëve të mbetur dhe të fitojë emërimin. Ja ç’thotë eksperti i anketimeve Mark Mellman.

"Mendoj se do të shohim një numër superdelegatësh që do të shpallin synimet e tyre dhe kështu, rezultati do të dalë fare qartë."

Zoti Obama në fakt ka bërë fushatë sikur ta kishte fituar emërimin dhe ka shprehur besimin se edhe zonja Klinton do ta mbështesë.

"Ajo ka punuar pa u lodhur në këtë fushatë, është treguar një senatore e shkëlqyer e shtetit të Nju Jorkut dhe do të jetë një ndihmë e madhe në nëntor për të garantuar se ne do t’i mposhtim republikanët. Këtë jua premtoj," -tha ai.

Por ish zonja e parë ende nuk ka deklaruar se do të tërhiqet dhe njerëz brenda Partisë Demokrate po kërkojnë zgjidhje për të shmangur një betejë të ashpër brenda partisë kur ajo të mbajë kuvendin e saj të emërimit në muajin gusht.//lk

XS
SM
MD
LG