Lidhje

Kadeti nga Shqipëria mbaron akademinë Uest Point


23-vjeçari Redion Qirjazi, u bë i pari kadet nga Shqipëria që përfundon akademinë ushtarake, Uest Point në shtetin Nju Jork. Të dielën, në këtë akademi ushtarake u zhvillua një ceremoni madhështore për diplomimim e mbi 900 kadetëve ku morën pjesë rreth 40 mijë vetë.

“Ushtria është një profesion i vështirë dhe kjo është në fakt një arësye se përse unë e zgjodha këtë profesion. Më pëlqen sfida dhe pasioni që kam për profesionin. Dëshira për t’i shërbyer vendit tim e mposhtën çdo preokupim për vështirësitë,” thotë Redioni.

Ushtria shqiptare ku shumë shpejt Redioni do të shërbejë me gradën e nëntogerit, ka vështirësitë e veta.

“Çdo ushtri ka vështirësitë e veta dhe kjo nuk është vetëm në ushtrinë shqiptare. Ushtria jonë ka ndoshta probleme që nuk hasen në ushtrinë amerikane. Megjithatë, unë i kam marrë përsipër të gjitha këto vështirësi dhe jam gati t’i përballoj,” thotë i sapodiplomuari.

Falenderimet e tij janë për familjen që e ka mbështetur shumë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Jam i bindur që katër vjetët që ai ka studiuar këtu kanë formuar tek Redioni njeriun që është në gjendje të përçojë më së miri vlerat e një shkolle si Uest Pointi,” thotë i ati i Redionit, Vladimiri, oficer i ushtrise shqiptare.

Përkushtimi, nderi, atdheu, janë disa nga vlerat që përçon kjo akademi prestigjioze.

“Një dedikim ndaj detyrës ushtarake, nderi për të qenë krenar që shërben në profesionin e armëve dhe së fundmi atdheu, pra gjithçka që bëhet të jetë tërësisht dhe parësisht në interesin e vendit tonë,” shprehet Redioni.

Redion Qirjazi diplomohet në një akademi të mbushur me histori. Gjeneralët që kanë bërë histori në Amerikë si Grant, Ajzenhauer, Patten apo më pas si Wesley Clark, kanë dalë nga Uest Point.

“Një nga aspektet për të cilat kjo akademi krenohet më shumë është historia e saj dhe aftësia për të ruajtur traditën,” thotë Redioni.

Akademia West Point është ngritur në një kodër prej nga mund të shijosh një peisazh që e tejkalon imagjinatën. Ka qenë ideja e Presidentit të parë të Amerikës, Xhorxh Uashingtonit që të ndërtohej në këtë pikë fillimisht si një post ushtarak.

Dhe ajo përdor një filozofi të veçantë për edukimin e kadetëve:

“Mësuesi dhe nxënësi nuk kanë një raport ku thjesht mësuesi jep mësim dhe nxënësi mëson. Këtu, mësuesi dhe nxënësi bashkëpunojnë për të mësuar nga njëri-tjetri.”

Në këtë ditë historike për qindra kadetët që u diplomuan dhe bënë betimin si oficerë, Uest Pointi është zhytur në një atmosferë feste, pa dyshim ka edhe një farë mallëngjimi për ndarjen.

Redioni thotë se atij do t’i mungojë Uest Pointi. //ii

XS
SM
MD
LG