Lidhje

Senatori Obama: Do të jem kandidati presidencial i Partisë Demokrate


Senatori Barak Obama u tha një grumbulli përkrahësish prej mijëra vetësh se kishte siguruar emërimin e partisë demokrate për në zgjedhjet e nëntorit. Senatori Obama foli mbrëmë vonë në të njëjtën qendër kuvendesh në Seint Pol, ku rivali i tij, senatori Xhon Mekein, do të marë emërimin e partisë republikane për në zgjedhjet e nëntorit. Mike O’Sullivan i Zërit të Amerikës njofton se zoti Obama shpalli fitoren ndërsa përfundoi sezoni i zgjedhjeve paraprake me garat në Montana dhe Dakotën e Jugut.

Edhe para se të mbylleshin qendrat e votimit në Montana, senatori i Illinois kishte fituar një epërsi të qartë delegatësh për në kuvendin e partisë ndërsa një nga një superdelegatë të pavendosur, zyrtarë të partisë dhe udhëheqës të zgjedhur u shprehën në mbështetje të tij. Ai foli me përkrahësit e tij në Saint Paul të Minesotës, qendra ku do të mbahet kuvendi i Partisë Republikane në shtator. "Falë jush sonte mund të qëndrojë këtu dhe t’u them se do të jem kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara".

Senatori 46 vjeçar në mandatin e parë është afrikano-amerikani i parë që bëhet kandidati presidencial i një partie të madhe në Shtetet e Bashkuara. Ai zhvilloi një fushatë të ashpër kundër senatores së Nju Jorkut Hillari Klinton në më shumë se 50 gara parazgjedhore në shtetet dhe territoret amerikane.

Senatorja Klinton u tha përkrahësve të saj mbrëmë në Nju Jork se nuk do të merte ende një vendim për të ardhmen e saj politike. Ajo tha se do të shqyrtojë alternativat e saj pasi të konsultohet me përkrahësit dhe udhëheqësit e partisë. //rd//

XS
SM
MD
LG