Lidhje

Robert Kenedi dhe ëndrra e mohuar


Gara presidenciale e vitit 1968 u trondit nga vrasja e senatorit demokrat Robert Kenedi, i cili u qëllua për vdekje natën që fitoi votimet paraprake në Kaliforni. Pas 40 vjetësh, sekretari i shtypit dhe këshilltari i Robert Kenedit, Frank Mankievic i hedh një vështrim garës së zotit Kenedi për Shtëpinë e Bardhë.

Në qershor 1968, senatori Robert Kenedi nga Nju Jorku kishte arritur majat duke ecur drejt emërimit për kandidatin presidencial të partisë demokrate pas disa fitoreve në zgjedhje paraprake. Por Robert Kenedi, nuk pati rastin të shijonte fitoren në kuvendin kombëtar demokrat në Çikago.

Ai u vra në Hotelin Ambasador në Los Anxhelos pasi fitoi zgjedhjet paraprake të Kalifornisë. Ёndrra e tij, të cilën e kishin edhe shumë të tjerë, nuk u arrit.

Robert Kenedi u varros në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë Uashingtonit, ku prehet edhe trupi i vëllait të tij Xhon Kenedi.

Frank Mankievic ishte këshilltari dhe sekretari i shtypit i Robert Kenedit.

Sot, zoti Mankievic është menaxher për marrëdhënietpublike në Uashington. Megjithatë, ai ende i kujton ato ditë para 40 vjetësh.

Zoti Mankievic thotë se 1968-a ashtu sikur 2008-a ishte vit pakënaqësish dhe plagësh të thella. Robert Kenedi, thotë ai, i tërhoqi njerëzit me mesazhin e tij optimist.

“Ky ishte mesazhi që jepte ai. Dhe prandaj mendoj se ai i tërhiqte edhe njerëzit që normalisht nuk merreshin me politikë. Ata e ndjenin se vendi ishte në një pikë krize, dhe se Robert Kenedi mund t’i bashkonte.”

Në vitin 1968, ashtu si sot, Shtetet e Bashkuara kishin një president jopopullor dhe një luftë që kundërshtohej prej shumicës. Kur Lindon Xhonsoni filloi fushatën për t’u rizgjedhur në mars 1968, ai gati u mund nga kandidati kundër luftës senatori Juxhin Mekarthi. Kjo e bëri zotin Xhonson të dilte nga gara.

“Unë nuk do ta kërkoj dhe as nuk do ta pranoj emërimin e partisë time për një mandat të dytë presidencial.”

Tërheqja e presidentit Xhonson i hapi rrugën Robert Kenedit. Disa javë më pas, më 4 prill, kur Amerika u trondit nga vrasja e udhëheqësit të të drejtave civile Dr. Martin Luther King, Robert Kenedi ishte ai që solli mesazhin ngushëllues.

“Ajo që na duhet ne në Shtetet e Bashkuara nuk është urrejtja. Ajo që na duhet nuk është dhuna, por dashuria, urtësia dhe dhembshuria për njëri tjetrin.”

Vrulli i Kenedit drejt marrjes së emërimit demokrat u rrit shtet pas shteti gjatë zgjedhjeve paraprake, duke arritur kulmin me fitoren e 4 qershorit në Kaliforni.

Por rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë u ndërpre nga plumbat që ai mori në kokë, pak minuta pas fjalimit të tij në Los Anxhelos me rastin e fitores. Vrasësi ishte Sirhan Sirhan, krimi i të cilit nuk u shpjegua asnjëherë tërësisht dhe nëse ai veproi i vetëm. Më 6 qershor, Robert Kenedi vdiq, duke ndryshuar rrjedhën e emërimit në favor të zëvendës presidentit Hjubert Hamfri. Ja ç’thotë Frenk Mankievic.

“Mendoj se në kuvend do të kishte patur një betejë mes Kenedit dhe Hamfrit dhe nuk e di si do të kishte dalë. Por mendoj se po ta kishte fituar emërimin ai do të ishte bërë president. Ai do të ishte bërë president sepse do ta kishte mundur Riçard Niksonin.”

Shumë analistë e kanë krahasuar kandidatin e tanishëm demokrat Barak Obama dhe tonin e tij frymëzues me atë të Robert Kenedit. Zoti Mankievic thotë se ka ngjashmëri por ka edhe ndryshime.

“Një nga gjërat që i mungon zotit Obama është lidhja e tij me Amerikën, lidhja e tij me vendin, lidhja e tij me bazën e gjerë të elektoratit të partisë demokrate. Me njerëzit që punojnë për të siguruar jetesën. Me njerëzit që paguajnë taksa...”

Sot, pas 40 vjetësh, njerëzit ende vijnë në Varrezat Kombëtare të Uashingtonit për të vizituar varrin e Robert Kenedit. Dhe për ata që arrijnë të kujtojnë se çfarë mund të kishte ndodhur, mendimet lexohen qartë në fytyrat e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG